Temperaturat maksimale për ditën e sotme arrijnë deri në 39-40°C, me vlera më të larta të regjistruara kryesisht në qarkun e Elbasanit, por gjithashtu edhe në Berat dhe zona të tjera të territorit shqiptar. Kryeqyteti gjithashtu pritet të shënojë temperatura shumë pranë 39°C gjatë orëve të mesditës.
Çfarë pritet në vijim?
Edhe dita e nesërme sjell thuajse të njëjtat vlera termike, me një rënie të lehtë në veri dhe pjesërisht në qendër, ndërsa në qendër dhe jug pritet një rritje e lehtë e temperaturave.
Nesër, Elbasani, Berati dhe Gjirokastra do të qëndrojnë sërish shumë pranë 39-40°C.
Kjo është pasojë e një zhvendosjeje të masave ajrore të nxehta drejt jugut të vendit.
Fundjava: një freskim i lehtë
Ditën e shtunë dhe të dielën, pritet një rënie graduale e temperaturave, si në mëngjes ashtu edhe në mesditë.
Temperaturat maksimale do të zbresin në rreth 36°C në shumë zona të vendit.
Nga dita e premte dhe në vijim: më shumë vranësira
Vranësirat nisin të shtohen nga dita e premte, duke përfshirë një pjesë më të madhe të territorit.
Të premten, në veri dhe verilindje priten rrebeshe afatshkurtra dhe ndonjë stuhi e izoluar me breshër, kryesisht në pjesën e dytë të ditës.
E shtuna dhe më pas do të karakterizohen nga diell dhe vranësira kalimtare, pa reshje.
Në horizont – reshje në fillim të korrikut
Sipas parashikimeve afatmesme, reshjet priten në fundjavën e parë të muajit korrik, ndërsa java tjetër sjell sërish rritje graduale të temperaturave në të gjithë vendin.