Venecia- Lauren Sanchez, nënkryetarja e Fondit “Bezos Earth”, është shumë më tepër sesa partnerja e një prej njerëzve më të pasur në botë. Me një karrierë të gjithëanshme që përfshin gazetarinë, aviacionin, sipërmarrjen dhe filantropinë, 55-vjeçarja amerikane pritet të kurorëzojë lidhjen me Jeff Bezos në një dasmë luksoze këtë fundjavë në Venecia.
E lindur në vitin 1969 në New Mexico dhe e rritur në Kaliforni, Lauren studioi gazetari dhe nisi rrugëtimin në media në një stacion lokal në Arizona, përpara se të kalonte në programe të njohura si “Extra” dhe “Good Day LA”.
Ajo u bë edhe prezantuesja e parë e spektaklit të famshëm “So You Think You Can Dance”.
Në moshën 40-vjeçare, ajo ndoqi pasionin për fluturimin, duke marrë licencën si pilote helikopteri, një ëndërr që ia kishte trashëguar babai i saj.
Në vitin 2016 themeloi “Black Ops Aviation”, kompania e parë amerikane e filmimeve ajrore në pronësi të një gruaje, e cila kontribuoi në projekte të mëdha kinematografike si “Dunkirk” i Christopher Nolan.
Sanchez është gjithashtu një zë i rëndësishëm në fushën e bamirësisë dhe mjedisit. Si nënkryetare e “Fondit Bezos Earth”, ajo angazhohet për çështje të ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së natyrës dhe arsimit të hershëm.
Në maj 2025, ajo bëri histori si anëtare e misionit hapësinor “NS-31” të Blue Origin, duke udhëtuar në hapësirë me pesë gra të tjera të përzgjedhura nga ajo vetë, përfshirë emra si Gayle King, Katy Perry dhe aktivisten Amanda Nguyen.
E pranishme edhe në letërsi, Sanchez botoi një libër për fëmijë të titulluar “The Fly Who Flew to Space”, një histori metaforike për eksplorimin dhe kthimin tek ajo që ka rëndësi, Toka.
Në jetën private, ajo është nënë e tre fëmijëve: një djali nga marrëdhënia me ish-lojtarin e NFL Tony Gonzalez, dhe dy fëmijë nga martesa me producentin Patrick Whitesell.
Ajo ruan një marrëdhënie të ngushtë me ish-partnerët dhe familjet e tyre, të cilët i konsideron “miqtë më të mirë”.
Romanca me Jeff Bezos u bë publike në vitin 2019, menjëherë pas ndarjes së tij nga MacKenzie Scott, me të cilën kishte qenë i martuar për 25 vite. Çifti u fejua në maj 2023 dhe në janar 2025 u shfaqën bashkë në inaugurimin presidencial të Donald Trump, krah personaliteteve si Elon Musk dhe Mark Zuckerberg.