Zvicër, 17 korrik 2025 – Një 23-vjeçar shqiptar është arratisur nga policia zvicerane në momentin kur po hipte në automjetin e transportit drejt burgut, në qytetin e Badenit. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së enjtes, pak para orës 09:00, dhe ka vënë në alarm autoritetet vendase.
Sipas deklaratës zyrtare të policisë së kantonit të Aargaut, i riu shqiptar u largua me shpejtësi në momentin që po bëhej gati për t’u futur në automjetin që do ta transportonte në qendër ndalimi. Në momentin e arratisjes, ai kishte ende prangat në duar, ndërsa ishte i veshur me pantallona të zeza, xhaketë të zezë me mëngë me motive të bardha dhe këpucë të bardha.
Policia ka ngritur një operacion të gjerë kërkimi në zonë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion apo dëshmi që mund të ndihmojë në lokalizimin e të arratisurit. Deri më tani, 23-vjeçari nuk është kapur.