Sa i sigurt është qumështi që prodhohet në fabrika?
Pas 12 vitesh në pushtet, kryeministri u kujtua për sigurinë ushqimore të shqiptarëve. Kur kapeshin mandarina me pesticide, apo mish pule me salmonelë e qumësht me aflatoksinë, Rama dhe ministret e tij nuk thoshin asnjë gjysmë fjale.
Madje mbulohej dhe emri i kompanive që helmonin shqiptarët. Por zgjedhjet ikën, dhe tani Babloku është hedhur në sulm. Sulm i cili duket se ka ngatërruar objektiv.
Inspektorët e Tatimeve, AKU dhe organeve të tjera u janë vërsulur tregjeve, sa po bëhen qesharakë. Si te rasti i Bardhës, ku i kërkonin faturë për rigonin që mbledhin në mal. Po ashtu, po ndjekin këmba këmbës fshatarët që dalin në mëngjes dhe shesin 2 bidona qumësht për të mbajtur familjen.
Por e keqja këtij vendi nuk i vjen as nga ai rigoni pa etiketë, as nga bidonët e qumështit në rrugë. Ata që helmojnë shqiptarët janë fabrikat e qumështit, mishit, etj.
Mjafton të shohim statistikat e INSTAT për të kuptuar se helm është ai qumështi që shitet në supermarkete dhe jo ai i fshatarit të shkretë.
Sot Shqipëria ka vetëm 224 mijë lopë, numër që brenda një dekade është ulur me 137 mijë krerë. Po kështu, sipas të dhënave të INSTAT, është ulur me gati 210 mijë numri i dhive, pasi në total kemi vetëm 500 mijë krerë nga 711 mijë para një dekade. Për pasojë, kemi më pak qumësht e djathë dhie bio në tregjet tona. Vetëm 8 mijë tonë qumësht dhie u grumbullua vjet.
Shifrat e INSTAT tregojnë se vjet u grumbullua në total 95 mijë tonë qumësht në të gjithë Shqipërinë, me rënie prej 6.6%, krahasuar me vitin 2023, nga i cili vetëm 12 mijë tonë doli në treg për konsum. Por kjo shifër është e papërfshirë me qumështin dhe nënproduktet e tij që hedhin në treg fabrikat.
Disa prej fabrikave kryesore të bulmetit hedhin në treg tonelata qumësht, kos, djathë, gjalpë, etj. Kur prodhimi bie, atëherë si ka mundësi që nuk ka asnjë pasojë në treg? Sinjalet janë se shumë fabrika përdorin qumësht pluhur dhe vaj palme.
Në periudhën janar–maj 2025 janë importuar në Shqipëri 250,393 kilogramë qumësht pluhur, ose 70.1 milionë lekë. Ndërsa në periudhën janar–maj të vitit të kaluar janë importuar 242,494 kilogramë qumësht pluhur, ose 64.1 milionë lekë. Por, duke bërë përllogaritjet, në 5-mujorin e 2025 ka një rritje të qumështit pluhur me 7,899 kilogramë. Pra imagjinoni se sa ‘qumësht’ mund të arrihet me kaq kilogramë pluhur, i cili përzihet me ujë dhe produkte të tjera.
Ndërsa në vitin 2024 në vendin tonë janë importuar 2.9 milionë litra vaj palme. Një shifër e frikshme. Ndërsa në pesë vitet e fundit, në Shqipëri janë importuar 13,667,239 litra vaj palme. Pra duket qartë se si mbushen shishet e qumështit apo si bëhen nënproduktet e tij që tregtohen në supermarkete. Për të mos folur më pas për niseshte apo produkte të tjera që i hidhen kosit apo gjizës. /Pamfleti