Një nga platformat më të mëdha mediatike në rajon, DigitAlb kohët e fundit ka pësuar ndryshime në pronësinë e saj. Në vitin 2004 kjo kompani u themelua nga Dritan Hoxha, i cili asokohe zotëronte 70% të aksioneve. Pas ndarjes nga jeta të z. Hoxha, DigitAlb kaloi një seri peripecish me përplasje dhe debate mes aksionerëve dhe me procese gjyqësore të stërzgjatura.
Por, sot situata ka ndryshuar. Burime për Vox News bëjnë me dije se aksionet e DigitAlb janë blerë nga familja Hoxha, në pjesën dërrmuese të saj, duke rikthyer identitetin e pronësisë, pikërisht aty ku e nisi themeluesi Dritan Hoxha.
Përkundër thashethemeve të përhapura nga konkurrentët, e vërteta është se nuk ka pasur asnjë shitje tek grupe të jashtme apo ndryshim të administratës.
DigitAlb sot është në pronësi shumicë të familjes Hoxha, e cila përmes kompanisë “About Time” ka blerë mbi 80% të aksioneve të platformës.
Ky zhvillim nuk përfaqëson një ndryshim kontrolli apo drejtimi, por një riorganizim të brendshëm strategjik që synon stabilitet afatgjatë dhe një vizion të unifikuar për të ardhmen e platformës.
Drejtuesit aktualë, përfshirë dhe Administratorin Eglinor Ramaj, mbeten në detyrë dhe do të vijojnë punën për forcimin e pozicionit të DigitAlb në treg.
Në vitet e fundit, DigitAlb është përballur me sfida të shumta si çdo kompani tjetër në sektorin mediatik—nga transformimi i sjelljes së shikuesve, te vështirësi financiare dhe mosmarrëveshje mes aksionarëve.
Riorganizimi i fundit synon pikërisht tejkalimin e këtyre fazave dhe ndërtimin e një drejtimi më të qartë, më efikas dhe më të orientuar drejt investimeve digjitale.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të sqarohet se nuk ka patur asnjë marrëveshje me grupin Devolli apo ndonjë entitet tjetër të jashtëm.
DigitAlb mbetet një nga markat më të konsoliduara në tregun shqiptar dhe një pjesë e pandashme e zhvillimit të mediave në vend.
Bilanci i Shoqërisë rezulton me fitim për 6 mujorin e parë të 2025, rezultat i cili pritet të rritet edhe me tej si pasojë e rritjes së cilësisë së shërbimeve nga kompania ku aplikacioni Digitalb mbetet zhvillimi teknologjik më superior në industrinë mediatike shqiptare.
Me një pronësi të konsoliduar, administratë të qëndrueshme dhe fokus të qartë strategjik, platforma hyn në një fazë të re ku qëllimi kryesor mbetet përmirësimi i shërbimit ndaj abonentëve dhe avancimi teknologjik në përputhje me zhvillimet globale.
Një epokë e re investimesh pritet të nisi në DigitAlb, ku synon jo vetëm të ketë ekskluzivitetin e të gjitha eventeve sportive, por gjithashtu të jetë e aksesueshme nga çdo familje shqiptare në të gjithë botën.