Politika shqiptare është në prag të një shtatori që pritet të sjellë zhvillime të forta. Pas zgjedhjeve të 11 majit, të cilat ndryshuan balancat dhe sollën një përbërje të re parlamentare, vendi është futur në një periudhë pritjeje dhe tensioni. Qershori dhe korriku kaluan në qetësi. Por kjo qetësi është thjesht “heshtja para stuhisë”.
Qeveria “Rama 4”
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një ristrukturim të thellë të kabinetit qeveritar që do të krijohet më shtator. Burime nga mazhoranca flasin për surpriza dhe emra të rinj që do të hyjnë në qeveri, ndërsa disa ministra të njohur rrezikojnë karrigen. Në korridoret e politikës përflitet se pritet “furtunë” nga ministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive në të gjitha nivelet. Fakti që Rama ka hapur rrugën në VKM e fundit për kompaninë TNT për koncesionin Milot-Balldren në tetor, tregon se priten emra të rinj që do të hedhin firmën e bllokuar prej kohësh. Gjithashtu në administratë do të futen njerëz pa përvojë të mëparshme, duke bërë që të ketë “fshesë” për sekretarët e përgjithshëm dhe drejtorët e nivelit të lartë.
Në listë pritet të jenë ish-deputetë që humbën ose nuk kandiduan, si dhe figura të tjera që Rama do t’i “sistemoje” me pozicione të reja dhe të favorshme në administratë. Spekulimet janë të shumta: kush do të largohet dhe kush do të vijë? A do të shfaqen figura të reja që do t’i japin një frymëmarrje ndryshe qeverisjes, apo bëhet fjalë për një lojë taktike të Ramës për të mbajtur të gjallë kontrollin brenda PS-së? Në korridoret e politikës përflitet se disa nga ministrat aktualë janë të ekspozuar për shkak të hetimeve të SPAK, tenderave të dyshimtë dhe aferave të mëdha publike.
Komisioni Xhafaj dhe tentativa për kapjen e SPAK-ut
Reforma në drejtësi pritet të lëkundet nga themelet pas shtatorit. Komisioni i posaçëm i ngritur nga Partia Socialiste dhe i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, po përgatitet që të hedhë në tavolinë draftin më të debatueshëm që nga miratimi i reformës në vitin 2016. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se plani është që të ketë një shkrirje të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), për t’i bashkuar në një strukturë të vetme, që thuhet se do të jetë nën komandën direkte të mazhorancës. Paralelisht, pritet të shkrihen Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe ILDKP në një institucion unik, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) mbetet jashtë loje.
Ky është thelbi i manovrës që po përgatitet për t’u konkretizuar në sesionin e ri parlamentar. Sinjalin se do të ketë lëvizje të forta pas shtatorit e dha vetë Fatmir Xhafaj, i cili gjatë një konference pak ditë më parë ku raportoi për punën e komisionit, deklaroi se draftet janë gati dhe do të futen në Kuvend sapo të nisë sesioni i ri. “Ne kemi dokumente të hartuara prej ekspertëve për sistemin e drejtësisë. Nuk dëshironim t’i sillnim këtu gjatë fushatës zgjedhore sepse do të bëheshin menjëherë kazus për politikën e ditës. Por tani Kuvendi do ta ketë këtë në prioritetet e tij në sesionin e parë të legjislaturës së re”, deklaroi Xhafaj.
Trazirat brenda PD
Në kampin opozitar, situata është edhe më e turbullt. Partia Demokratike, po hyn në një fazë të re përplasjesh. Grupet e brendshme janë duke u organizuar për t’i prerë kokën politikisht Sali Berishës, i cili pas shpalljes “non grata” dhe arrestimit me masë sigurie, e ka të vështirë të mbajë të bashkuar strukturat. Një pjesë e demokratëve shohin domosdoshmëri largimin e tij, duke e konsideruar pengesën më të madhe për rikthimin e PD-së në pushtet. Nga ana tjetër, Berisha ka ende mbështetës të fortë që e konsiderojnë atë liderin historik dhe të pazëvendësueshëm. Kjo betejë pritet të shpërthejë me forcë në shtator, kur të nisë sesioni i ri parlamentar dhe kur opozita do të duhet të tregojë se cilin drejtim do të ndjekë.
Raportimet e drejtësisë në Kuvend
Nga ana tjetër dhe Institucionet e pavarura e kaluan qetë qershorin dhe korrikun, pasi ata nuk u paraqiten në Kuvend për të dhënë llogari për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024. Ky raportim vjetor duhet të ishte bërë në pranverë, por deputetët ishin në fushatë. Shumica prej tyre u zhgënjyen që nuk do të ishin në Kuvendin e ri dhe braktisën detyrat kushtetuese në fund të mandatit. Kjo bëri që mazhoranca socialiste të ndryshojë planin e punës së Kuvendit, dhe shtyu raportimin e institucioneve të pavarura, për në shtator, kur të betohen dhe fillojnë nga puna, deputetët e rinj. Kështu autoriteti me vëmendjen më të lartë, SPAK nuk raportoi në komisionin e ligjeve më 24 qershor, siç ishte parashikuar në kalendar. Mësohet se edhe Altin Dumani si drejtuesit e tjerë të institucioneve të pavarura, do të thirret në shtator.
Çfarë do të ndodhë?
Pra politika shqiptare hyn në një shtator me disa skenarë të hapur: A do të arrijë Rama të konsolidojë pushtetin me qeverinë e re, apo do të përballet me pakënaqësi të brendshme dhe të jashtme? A do të ketë sukses tentativa për të kufizuar SPAK-un, apo do të përfundojë në një betejë që do të kthehet kundër politikës? A do të mbijetojë Berisha në krye të PD-së, apo do të shembet nën presionin e grupeve të brendshme dhe të drejtësisë? Më shumë se këto zhvillime, paniku i politikës vjen nga hetimet dhe dosjet e hapura të drejtësisë.