Skip to content

138 viktima në rrugët e Shqipërisë: një bilanc tr’agjik nga Janari në Gusht

Dhjetëra jetë të humbura në lule të rinisë, makina të shkatërruara dhe plagë që nuk do të shërohen kurrë. Kjo është panorama e trishtë e aksidenteve rrugore në vendin tonë.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë, nga janari deri në gusht të këtij viti kanë humbur jetën 138 persona si pasojë e aksidenteve rrugore. Shkaqet kryesore mbeten të njëjtat: shpejtësia tej normave të lejuara, gjendja e dobët e rrugëve, parakalimet e gabuara, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të mjetit dhe konsumimi i alkoolit.

Disa nga ngjarjet më tragjike që kanë lënë gjurmë të thella përfshijnë aksidentin e Fushë-Prezës më 20 mars, ku përplasja e shkaktuar nga shpejtësia e lartë dhe mungesa e ndriçimit mori jetën e katër të rinjve.

Një tjetër rast i rëndë ndodhi më 29 korrik, në aksin Palasë-Dhërmi, ku një “Benz” me drejtues 36-vjeçarin Martin Konici humbi kontrollin dhe u përplas me barrierat e rrugës. Për shkak të shpejtësisë dhe konsumimit të alkoolit, një fëmijë vetëm 9-vjeç humbi jetën në vend.

Ndër ngjarjet më të trishta është edhe rasti i dy motrave Dhimaku nga Delvina, të cilat humbën jetën ndërsa shkonin në punë për të ndihmuar vëllain e tyre që vuante nga leucemia. Një shofer i dehur, Kevin Norra, me një parakalim të gabuar, ua mori jetën dhe ëndrrat e tyre.

Ekspertët e sigurisë rrugore dhe autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal gjatë drejtimit, duke theksuar se çdo moment pakujdesie mund të kthehet në një përjetësi dhimbjeje për familjet e viktimave. Rrugët nuk janë vend për garë; ato janë hapësira ku secili pret të arrijë i gjallë në shtëpi.

Published inTë fundit