Skip to content

Bllokimi i spitalit privat në Tiranë, detaje të reja: Krime ndaj shëndetit të pacientëve dhe fitim 1 milion euro i padeklaruar

Tiranë/Operacioni “Bilanci” – Bllokohet spitali privat “International Medicare”, arrestohet administratori, shpallen në kërkim dy bashkëaksionerët

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të gjerë të koduar “Bilanci”, duke goditur një skemë të përmasave të mëdha në fushën e krimeve ekonomike dhe atyre kundër shëndetit publik.

Hetimet e kryera për disa muaj nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë dokumentuar një sërë shkeljesh të rënda të kryera për llogari të spitalit privat “International Medicare” (ish “Sante Plus”), me qendër në Zog të Zi.

Zbulimet e hetimit

Nga kontrollet e ushtruara në subjekt, u konstatua se:

Spitali privat nuk kishte deklaruar fitime mbi 1 milion euro gjatë periudhës 2024–2025, duke kryer evazion fiskal në përmasa të mëdha;

Shërbimet spitalore kryheshin duke përdorur produkte të ndaluara dhe të dyshuara të kontrabanduara, përfshirë medikamente të skaduara;

Në këtë subjekt ishin të punësuar disa shtetas pa sigurime shoqërore, duke shkelur ligjin për punësimin.

Si pasojë, autoritetet vendosën të bllokojnë aktivitetin e spitalit dhe të sekuestrojnë provat materiale.

Arrestime dhe shpallje në kërkim

Në kuadër të operacionit u arrestua administratori i spitalit, shtetasi Edmond Z., 62 vjeç, ndërsa dy bashkëaksionerët e tjerë, shtetasi turk Bilal K., 45 vjeç dhe shtetasja shqiptare Geriana A., 32 vjeçe, u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.

Sekuestrimet

Gjatë kontrolleve, Policia sekuestroi:

100 blloqe me mandate të pafiskalizuara;

27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara ose të ndaluara për përdorim;

6 njësi kompjuterike, që dyshohet se shërbenin për menaxhimin e dokumenteve financiare dhe mjekësore.

Vijon hetimi

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Ky rast ngre sërish shqetësimin mbi mënyrën se si disa subjekte private shëndetësore shfrytëzojnë boshllëqet ligjore dhe shpërdorojnë besimin e qytetarëve, duke rrezikuar jo vetëm financat publike, por edhe shëndetin e pacientëve. /noa.al

Published inTë fundit