Ministrja e re e Shëndetësisë së Suedisë, Elizabet Lann, humbi ndjenjat të martën gjatë një konference për shtyp, vetëm pak minuta pas prezantimit të saj zyrtar. Lann, përfaqësuese e partisë Kristiandemokrate, qëndronte pranë kryeministrit Ulf Kristersson dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë, kur papritur humbi ndjenjat dhe u rrëzua, duke goditur kokën në foltore.
Kryetarja e partisë, Ebba Busch, së bashku me disa zyrtarë të tjerë, ndërhynë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa pjesëtarët e sigurisë u kujdesën për të dhe e shoqëruan jashtë sallës.
Pak më vonë, ministrja u kthye në sallë e buzëqeshur, duke qetësuar të pranishmit me fjalët: “Nuk ishte një e martë e zakonshme, por ndodh kur ke hipoglicemi.”
Ende nuk dihet nëse Lann ka pasur nevojë për kujdes të mëtejshëm mjekësor, megjithatë nuk kishte dëmtime të dukshme dhe konferenca për shtyp u anulua.
“Dukej vërtet serioze. U rrëzua pikërisht para meje”, tha një gazetar i gazetës DN, i cili ndodhej në sallë në momentin e incidentit.
Lann, e cila deri pak kohë më parë ka qenë këshilltare bashkiake në Göteborg, mori zyrtarisht detyrën si ministre e Shëndetësisë të martën, pas dorëheqjes së papritur të paraardhëses së saj, Acko Ankarberg Johansson, të hënën.