Në maternitetin “Geraldina” ka ndodhur një rast i rrallë dhe mjaft emocionues. 12 infermiere dhe mami janë njëkohësisht në pritje të ëmbël!
Një skenë sa e bukur, aq edhe simbolike për vendin ku lind jeta çdo ditë. Top Channel intervistoi dy prej tyre, Imeldën dhe Elonën, të cilat ndanë emocionet e këtij momenti të veçantë jo vetëm si profesioniste të shëndetit, por edhe si nëna të ardhshme.
Imelda, që po pret fëmijën e saj të parë, këtë të premte do të veshë fustanin e bardhë për një tjetër ditë të paharrueshme – dasmën e saj. Por surpriza më e ëmbël? Të gjitha gratë shtatzënë do të marrin pjesë në dasmë duke hedhur vallen bashkë!
“Emocion i paparë. Jam në shtatzëninë e parë dhe ky fakt na bën më të ndjeshme, më pranë edhe me nënat që i shërbejmë çdo ditë. Pjesë e dasmës jeni edhe ju!”, tha Imelda me një buzëqeshje të sinqertë.
Kur moderatorja Bieta Sulo e pyeti si ka mundësi që të gjitha keni mbetur shtatzënë në të njëjtën kohë, Imelda me humor u përgjigj: Po ta kishim ditur që lajmi do të bënte kaq bujë, do e kishim shtuar numrin!
Ndërkohë Elona, që po pret fëmijën e saj të dytë, tha se ndjenja e amësisë është edhe më e fortë këtë herë: Kam një djalë dhe tani pres një vajzë – jemi të kompletuar. Nuk e kishim menduar që ky lajm do të bëhej kaq i famshëm, ne punojmë aty ku lind jeta.”
Ky “baby boom” i mrekullueshëm në një nga maternitetet më të njohura të vendit është më shumë se një rastësi – është një dëshmi e jetës që rritet mes duarve që ndihmojnë çdo ditë në lindjen e saj.
Vallja e 12 nënave të ardhshme këtë të premte pritet të bëhet videoja më e ëmbël e javës!
Top Channel