Siç tashmë dihet më 11 tetor, Kombëtarja shqiptare do të zbresë në fushë për njërën nga ndeshjet më të ndjeshme dhe më të rëndësishme të këtij edicioni kualifikues për Botërorin përballjen me Serbinë. Sfida, që pritej të zhvillohej në Beograd, është zhvendosur nga autoritetet serbe në qytetin e vogël të Leskovcit, poshtë Nishit, për shkak të frikës së përleshjeve apo incidenteve të mundshme.
![]()
Një vendim që në vetvete ka pasur jehonë të madhe jo vetëm sportive, por edhe historike. Leskovci nuk është një qytet dosido. Dokumente historike të shekullit XIX flasin për praninë e shqiptarëve deri në këtë territor, çka e ngarkon edhe më shumë simbolikën e ndeshjes.
Në këtë atmosferë të tensionuar, ku çdo detaj mund të kthehet në mesazh, tifogrupi i Prishtinës “Plisat” ka bërë që ndjesia kombëtare të ndizet edhe më shumë. Gjatë ndeshjes Prishtina–Ballkani në Hajvali, ata hapën një banderolë që tashmë po qarkullon në rrjetet sociale me shpejtësi:
“Në Leskovcin tonë, në tokën e Shqipërisë. Na bëni krenarë, për nder të historisë.”
Një thirrje që bashkon emocionin, krenarinë dhe kujtesën, në prag të një ndeshjeje ku futbolli përzihet me politikën, historinë dhe identitetin.
Federata Serbe e Futbollit, nga ana tjetër, ka anuluar shitjen e biletave për publikun, duke treguar qartë nervozizmin që e shoqëron këtë përballje.
Shqipëria do të kërkojë pikët që e mbajnë në garë për vendin e dytë, por mbi të gjitha do të luajë në një fushë ku çdo top, çdo faull dhe çdo flamur do të ketë një peshë që shkon shumë përtej rezultatit.