“Shqiptarët po varfërohen, 55% e familjeve s’mbyllin dot muajin”- Deputetja Tabaku: Ekonomia të mos punojë për një pakicë të privilegjuar që përfiton nga pushteti

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish ndaj gjendjes ekonomike në vend, duke kërkuar që ekonomia të vihet në shërbim të shumicës, jo të pakicës.

Në një video-mesazh të shpërndarë në rrjete sociale, Tabaku thekson se “stabiliteti i pretenduar nga qeveria nuk ekziston në xhepat e qytetarëve, por vetëm në letrat e ministrive”, ndërsa faktet, sipas saj, tregojnë një realitet krejt tjetër.

“EUROSTAT tregoi që 55% e familjeve shqiptare jetojnë në kushte varfërie, nuk e mbyllin dot muajin. 40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime,” – shprehet Tabaku, duke shtuar se kjo situatë është pasojë e taksave të larta, rritjes së çmimeve me 30% dhe zhvlerësimit të euros, që ka goditur më fort shtresat e mesme dhe të ulëta.

Lajme te Ngjashme

Bënte eko në këmbim të parave në Spitalin e Fierit, ja kush është mjeku imazherist, në banesë iu gjetën mijëra euro

700 raketa gati për sulm, tre armiqtë e SHBA futen në lojë, pse janë rritur tensionet Trump-Maduro

I merrte shuma parash pacientëve për të kryer ekot, arrestohet mjeku imazherist

Ish-truproja zbulon prapaskenat: Çfarë ndodhi në takimin e famshëm mes Nanos dhe Berishës?
Deputetja demokrate nënvizon se ekonomia shqiptare po varet gjithnjë e më shumë nga sektori i ndërtimit, ndërsa sektorët që krijojnë punësim dhe mirëqenie – si bujqësia, prodhimi dhe energjia – janë lënë në harresë.

“Ekonomia shqiptare nuk prodhon më! Për çdo 1% rritje ekonomike, punësimi rritet me vetëm 0.1%. Kjo është prova që kemi një ekonomi të pakicës, që nuk krijon vende pune dhe nuk gjeneron mirëqenie për qytetarët,” – theksoi Tabaku.

Ajo bëri thirrje që realiteti ekonomik i vendit të ndryshojë, duke u vendosur në shërbim të shumicës së shqiptarëve që përballen çdo ditë me koston e jetesës dhe pasigurinë ekonomike.

“Këtë realitet duhet ta ndryshojmë. Ekonomia duhet të punojë për shumicën, jo për një pakicë të privilegjuar që përfiton nga pushteti,” – përfundoi Tabaku.