Gjashtë shtetas të huaj janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar të koordinuar nga Europol, i cili u fokusua te rrëmbimi i kreut të një grupi shqiptar të trafikut të drogës, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.
Operacioni u zhvillua më 12 nëntor dhe u mbështet nga Europol në kuadër të një hetimi të udhëhequr nga autoritetet gjermane, i cili synonte një grup mercenarësh të angazhuar nga një rrjet kriminal për të rrëmbyer kreun e një bande rivale të drogës.
Autoritetet ligjzbatuese nga Danimarka, Franca, Letonia dhe Mbretëria e Bashkuar morën pjesë në aksion. Veçanërisht, operacioni u përqendrua te shtetasit letonezë, disa prej të cilëve kanë përvojë në Legjionin e Huaj Francez. Këta individë, të trajnuar profesionalisht dhe të pajisur me mjete të specializuara, ishin kontraktuar për të kryer rrëmbimin e udhëheqësit të një rrjeti shqiptar të trafikut të drogës, i cili dyshohet të ketë orkestruar vjedhjen e disa tonëve kanabis me vlerë miliona euro.
Gjatë ditës së aksionit, katër prej të dyshuarve u arrestuan në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa dy të tjerët, të arrestuar më parë në Gjermani, tashmë janë dënuar nga gjykata. Europol dërgoi një ekspert në Nisë të Francës për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe për të verifikuar të dhënat operative me bazat e të dhënave të Europolit, duke siguruar udhëzime të menjëhershme për hetuesit në terren.
Operacioni lidhet me fenomenin e njohur si “Dhuna si Shërbim”, ku specialistë të trajnuar profesionalisht angazhohen nga organizata kriminale për të kryer akte të dhunshme. Ky rast është një shembull i qartë i përdorimit të ish-anëtarëve të forcave speciale për qëllime kriminale. Disa nga të dyshuarit janë ish-ushtarë të Legjionit të Huaj Francez, të cilët, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre luftarake, mund të paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë publike.
Legjioni i Huaj Francez, themeluar në 1831, është një forcë elitare e Ushtrisë Franceze, e njohur për disiplinën dhe aftësitë luftarake, dhe rekrut vullnetarë nga e gjithë bota për shërbim brenda dhe jashtë Francës. Historia e tij përfshin pjesëmarrje në shumë konflikte të rëndësishme.