Meteorologia Tanja Porja paralajmëron një përkeqësim të dukshëm të motit në Shqipëri gjatë ditëve në vijim, me reshje intensive, stuhi ere dhe ndryshim të ndjeshëm të temperaturave.
Gjatë një prononcimi për Dita Jonë në A2 CNN, Porja shpjegoi se atmosfera paraqitet “shumë dinamike”, me reshje më të dendura në zonat veriore dhe qendrore, ndërsa intensiteti i tyre pritet të rritet në të gjithë vendin gjatë mesditës dhe mbrëmjes së sotme.
Sipas meteorologes, erërat e forta jugore do të shoqërohen me shkarkesa elektrike dhe stuhi detare, ndërsa gjatë ditës së nesërme reshjet zhvendosen gradualisht drejt pjesës jugore të territorit.
Porja rekomandon shmangien e lëvizjeve të panevojshme, duke theksuar se kushtet e motit do të jenë sfiduese për qarkullimin, sidomos në zonat ku reshjet pritet të jenë më intensive.
Temperaturat e mesditës do të ulen me rreth dy gradë, ndërsa vlerat më të larta pritet të regjistrohen në Berat dhe në Gjirin e Sarandës, ku ato arrijnë deri në 21°C.
Meteorologia parashikon gjithashtu se fundjava do të shënojë fillimin e reshjeve të dëborës në disa zona të vendit.