Konfirmimi zyrtar nga SPAK: Belinda Balluku nuk është më zv.kryeministre dhe ministre e qeverisë ‘Rama’

SPAK zgjeron hetimet për Llogaranë dhe Unazën e Madhe: Gjykata vendos masa sigurie për zyrtarët e përfshirë

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka njoftuar se ka evidentuar shkelje serioze në procedurat e prokurimit publik për dy projekte të rëndësishme kombëtare: Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme të Tiranës (Loti 4). Hetimet janë pjesë e procedimit penal nr.136 të vitit 2025 dhe janë zhvilluar përmes metodave speciale, analizës së provave digjitale dhe verifikimeve të detajuara institucionale.

Dy tenderat nën hetim

Hetimi i SPAK ka identifikuar parregullsi në dy procedura me vlerë shumë të lartë financiare:

1. Ndërtimi i tunelit të Llogarasë

– Fond limit: 18.9 miliardë lekë (pa TVSH)

– Zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

2. Ndërtimi i Unazës së Jashtme, Loti 4

– Fond limit: 2.09 miliardë lekë (pa TVSH)

– Zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH)

Roli i Belinda Ballukut në hetim

SPAK deklaron se e pandehura Belinda Balluku, në atë kohë Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëkohësisht Zv.kryeministre, ka ndjekur nga afër dhe ka orientuar të gjitha fazat e proceseve të prokurimit, që nga përgatitja e dokumenteve deri te vlerësimi i ofertave dhe nënshkrimi i kontratave.

Sipas hetimit, Balluku – në bashkëpunim me anëtarët e komisioneve të prokurimit dhe vlerësimit – dyshohet se ka ndikuar mbi procedurat, duke krijuar avantazhe për operatorë të caktuar ekonomikë, si në rastin e Llogarasë, ashtu edhe në Unazën e Jashtme.

Zyrtarët e tjerë të përfshirë

SPAK ka evidentuar veprime të dyshuara të paligjshme në bashkëpunim me:

Evis Berberi, ish-Drejtor i ARRSH

Gentian Gjyli, Drejtor i Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në ARRSH

Erald Elezi, Drejtor i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH

Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste të MIE

Anëtarë të Njësisë së Prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për Loti 4

Sipas SPAK, këta zyrtarë kanë bashkëpunuar për të paracaktuar fituesit e tenderave dhe kanë krijuar avantazhe të padrejta në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe legjislacionin për konfliktin e interesit.

Masa sigurie të vendosura nga Gjykata

Me vendimin nr.118, datë 19.11.2025, GJKKO ka vendosur masat e mëposhtme sigurie:

Për Belinda Ballukun:

Ndalim i daljes jashtë shtetit

Pezullim nga detyra publike (Zv.Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë)

Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera gjatë procedurës së Llogarasë dhe dyshohet për të njëjtën vepër në procedurën e Unazës së Jashtme.

Për zyrtarët e ARRSH:

Arrest shtëpie për:

Gentian Gjyli

Erald Elezi

Të dy akuzohen për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me tunelin e Llogarasë, ndërsa Elezi dyshohet edhe për Unazën e Jashtme.

Të gjitha masat u ekzekutuan më 20 nëntor 2025.

Ku bazohen akuzat?

Sipas SPAK, veprimet e kryera bien ndesh me:

Ligjin “Për Prokurimin Publik”

VKM nr.285 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”

Ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave”

Hetimet deri tani sugjerojnë se komisionet dhe strukturat e përfshira kanë devijuar nga kriteret e barazisë, kanë orientuar proceset dhe kanë favorizuar operatorë të caktuar.

Hetimi vijon

SPAK thekson se hetimet mbeten në proces dhe synojnë të zbardhin:

mënyrën sesi janë hartuar dhe ndjekur procedurat,

rolin e çdo zyrtari në proces,

avantazhet e krijuara për operatorët e shpallur fitues,

dhe përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi.

Pritet që në vijim të ketë zhvillime të tjera lidhur me këtë çështje të rëndësishme për procesin e prokurimit publik në vend. /noa.al

E plotë

Hetimi i SPAK për procedurat e prokurimit të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Jashtme, caktohen masa sigurie për të pandehurit

Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njofton se, në vijim të hetimeve për procedimin penal nr.136 të vitit 2025, janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi:

Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), me fond limit 18.967.810.952 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, me numër REF-02817-08-13-2021 dhe fond limit 2.096.958.794 lekë pa TVSH, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në këtë fazë të hetimeve, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të të pandehurës Belinda Balluku. Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues “I….dhe A…..”.

Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale; Evis Berberi, Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, me numër REF-02817-08-13-2021, me fond limit 2,096,958,794,70 lekë pa TVSH, ka rezultuar se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga Institucioni në varësi të kësaj Ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në fazën përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave.

E pandehura Belinda Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë,“E…” sh.p.k, “P…”sh.p.k, dhe “N…”sh.p.k.

Gjatë këtyre dy procedurave të prokurimit janë evidentuar veprime në kundërshtim me ligjin, nr. 162/2020, “Për Prokurimin Publik”, VKM nr.285, datë 19.05.2021,“Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për, me vendimin nr.118, datë 19.11.2025, ka vendosur :

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues, “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues, “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe i dyshuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”. Me datë 20.11.2025, janë ekzekutuar masa e sigurimit personal :

Masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku. Masat e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurve Gentian Gjyli dhe Erald Elezi. Hetimet e deritanishme janë kryer përmes metodave speciale, grumbullimit të provave digjitale si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore. Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për këtë procedim penal.

Related Posts

Horoskopi ditor, e premte 21 nëntor 2025

Dashi Do keni një marrëdhënia goxha te mire gjate kësaj dite ju dhe partneri. Gjithçka do shkoje për mrekulli, madje mund te merren edhe vendime me rëndësi…

Hëna e re te Akrepi sjell zhvillime të mëdha! Meri Gjini: Kujdes, kjo shenjë Horoskopi bëhet objekt thashethemesh

Astrologja Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit për pjesën e dytë të javës në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe…

Hëna e re G0DET fuqishëm për mirë këto 3 shenja ‘Do përjetoni ndikimin më të fortë të…’

Hëna e Re e datës 20 nëntor 2025 konsiderohet si një ndër momentet më të rëndësishme astrologjike të vitit. Dielli dhe Hëna bashkohen në shenjën e Akrepit,…

Fëmijët mbetën pa baba e nëna pa djalë…Ky është i riu që u godit me vd*kje nga betonierja në vendin e punës

Komuniteti italian dhe shqiptar kanë nisur mbledhjen e fondeve për të ndihmuar familjen e Artur Deliut, 36-vjeçarit shqiptar që humbi jetën në një aksident gjatë punës në…

I riu shqiptar vd*s tragjikisht: Kamioni e shtyp në koshin e plehrave, më pas u…

Një 30-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike disa ditë më parë në Northampton të Anglisë, pasi u shtyp nga një kamion plehrash ndërsa flinte brenda…

Ish-policja shqiptare në Boston fiton 1 milion dollarë dëmshpërblim pas ng*cmimeve s*k’suaIe në punë

Një ish-police shqiptare në Boston, Enxhi Qirici, 32 vjeçe, u shpërblye me 1 milion dollarë nga një gjykatë amerikane, pas pretendimeve se ishte shkarkuar padrejtësisht dhe ngac…