Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur të dielën në Brazil, ku një 19-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua mizorisht nga luanët në një kopsht zoologjik në João Pessoa. Viktima, i identifikuar si Gerson de Mello Machado, ishte diagnostikuar më herët me probleme të shëndetit mendor, sipas raportimeve të mediave lokale.
Pamjet e xhiruara nga vizitorët e Kopshtit Zoologjik Arruda Câmara tregojnë momentin dramatik kur i riu zbret nga një pemë brenda hapësirës së kafshëve të egra dhe sulmohet menjëherë nga luanët. Sipas autoriteteve, 19-vjeçari kishte arritur të ngjitej në një mur rreth 6 metra të lartë, më pas kishte kaluar telin me gjemba, dhe në fund ishte futur brenda kafazit duke përdorur një pemë si mbështetje.
Edhe pse punonjësit e kopshtit zoologjik ndërhynë menjëherë, plagët e marra rezultuan fatale.
Pas ngjarjes së rëndë, kopshti zoologjik është mbyllur përkohësisht, ndërsa autoritetet lokale kanë nisur një hetim të plotë për të sqaruar rrethanat e incidentit. Administrata e institucionit pretendon se masat e sigurisë kanë qenë të gjitha në fuqi, por hetimi pritet të zbulojë nëse ka pasur ndonjë mangësi që mund të ketë lejuar 19-vjeçarin të depërtonte deri te kafazi i luanëve.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Brazil, ndërsa familja e të riut dhe institucionet sociale kujtojnë se ai ishte prej vitesh nën kujdes për shkak të problemeve të shëndetit mendor.