Një episod i pazakontë ka tronditur Selanikun, ku një 27-vjeçar i shtruar në Spitalin Hipokratik është larguar nga pavijoni me kateterin intravenoz ende të vendosur në dorë, për të kryer tentativa grabitjesh në zonë.
Sipas raportimeve të mediave greke, që pas mesnatës qendra operative e Veprimit të Menjëhershëm ka marrë disa telefonata nga qytetarë të shqetësuar, të cilët njoftuan se një person po përpiqej të futej me forcë në automjete dhe biznese pranë spitalit Ippokrateio.
Rasti i parë u regjistrua rreth 00:30, kur i riu tentoi të hapte një kamion të parkuar. Pak minuta më vonë, ai u përpoq të depërtonte në një dyqan lulesh në rrugën Konstantinoupoleos.
Në orën 02:15, një patrullë policie e identifikoi dhe e ndoqi në këmbë, derisa 27-vjeçari u kap dhe u arrestua. Oficerët mbetën të habitur kur panë se ai kishte ende serumin e vendosur në krah. I pyetur për situatën, ai deklaroi se kishte braktisur spitalin ndërsa trajtohej për pneumoni.
Policia po vijon hetimet për të dokumentuar të gjitha tentativat e grabitjeve dhe për të sqaruar rrethanat e largimit të tij nga spitali.