Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar vjedhjen e biçikletës së tij, e cila ndodhej e parkuar para restorantit të tij. Ai ka dërguar edhe videon e momentit të vjedhjes, ku shihet një i mitur teksa merr biçikletën dhe largohet me të.
Para se të ndërmarr veprimin, i mituri planifikon vjedhjen së bashku me një tjetër fëmijë, i cili sipas denoncuesit është i vëllai.
Qytetari thotë se biçikleta ka vlerë të madhe emocionale, pasi është dhuratë nga një person që nuk jeton më. Për këtë arsye, ai u bën apel autorëve të vegjël që të kthejnë mjetin pa u përshkallëzuar situata.
Mesazhi i tij është i qartë dhe i prerë:
“Dua t’i bëj thirrje këtyre kalamajve të vegjël që ta dorëzojnë vetë përpara se t’i zgjidhim gjërat në mënyra të tjera. I dimë edhe shtëpitë e tyre. Të vijnë këtu, t’i qerasim me një darkë falas, dhe të kthejnë biçikletën që të mos shkojmë në polici.”
Qytetari shprehet se pret që biçikleta t’i kthehet brenda ditës së nesërme, duke theksuar se nuk do t’i drejtohej redaksisë nëse ajo nuk do të kishte një vlerë kaq të madhe emocionale për të.
Ai kërkon ndihmën e publikut dhe apelon për ndërgjegjësim, me shpresën se biçikleta do të rikthehet.