Tre adoleshentë në Francën jugore humbën jetën tragjikisht, kur makina e tyre doli nga rruga, u përplas me një mur dhe ra fatalisht në pishinën e një banese aty pranë.
Meqenëse automjeti ishte pothuajse në madhësi me pishinën, adoleshentët të moshës 14, 15 dhe 19 vjeç, nuk mundën të hapnin dyert dhe u mbytën
Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, (3 dhjetor), gjatë një nate me shira të rrëmbyeshëm, raporton BBC.
“Është vërtet kulmi i tmerrit”, tha prokurori, duke shpjeguar se “nuk ishte ndikimi i aksidentit që i vrau ata. Ata ishin përmbys në ujin e ngrirë, të paaftë për të dalë. Ata nuk kishin shpresë”.
Raportime të pakonfirmuara sugjerojnë se 14-vjeçari ishte në timon të makinës. Prokurori i tha AFP-së se aksidenti ishte rezultat i një “serie rrethanash të pabesueshme”. Makina u përplas me një mur të ulët kopshti, u përmbys dhe përfundoi në pishinë, e cila ishte vetëm 1.5 metra e thellë. U deshën disa orë që të jepej alarmi dhe të thirreshin zjarrfikësit për të zbrazur pishinën dhe për të nxjerrë automjetin.