Moti i keq po “tregon dhëmbët” në Greqi, pasi ka sjellë tashmë shira dhe stuhi të rrëmbyeshme në shumë zona, sipas të dhënave nga Observatori Kombëtar i Athinës
Pak pas orës 12:30, një mesazh nga “112” u dëgjua në telefonat celularë të banorëve dhe vizitorëve në Evrota dhe Mani lindor , i cili theksonte “për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe rrëshqitjeve të dheut në Njësinë Bashkiake të Manit lindor të Njësisë Rajonale të Lakonisë, kufizoni lëvizjet tuaja në ato që janë absolutisht të nevojshme. Ndiqni udhëzimet e Autoriteteve”.
Nuk kaloi shumë kohë para se të shfaqeshin problemet e para.
Në Gytheio , shtëpitë, të mbjellat, makinat dhe makineritë bujqësore janë mbuluar nga sasi të mëdha uji , ndërsa banorët e përshkruajnë situatën si një “katastrofë biblike”.
Në Zakynthos, rrugët në Alykes janë përmbytur, me autoritetet që këshillojnë qytetarët të mos lëvizin përveç rasteve të emergjencës.
Nga ora 10:00 i gjithë trafiku i automjeteve u pezullua në seksionin e Autostradës Egnatia nga kryqëzimi lindor në atë perëndimor të Komotinit në rrjedhën e trafikut nga Aleksandropoli në Xanthi.
Njëkohësisht, u njoftua se me vendime të kryetarëve të bashkive të Rodosit, Symit, Kastelorizos dhe Tilos, njësitë shkollore të të gjitha niveleve në të katër ishujt nuk do të funksionojnë nesër.