Zgjedhja e emrit të një fëmije është gjithmonë një nga vendimet më të vështira dhe më emocionuese për prindërit që presin një të vogël në jetë. Dilemat janë të panumërta: a duhet të jetë emër i gjatë apo i shkurtër? Tradicional apo modern? Emër me kuptim fetar, apo një emër i frymëzuar nga një film, libër apo figurë e njohur?
Pavarësisht stilit, një gjë është e qartë: emri bëhet pjesë e identitetit të fëmijës, por në fund janë njeriu dhe karakteri i tij që i japin kuptim emrit, e jo e kundërta. Shpesh, personaliteti i një individi është ai që e bën emrin të veçantë dhe të paharrueshëm.
Por mes mijëra alternativave, një pyetje intriguese mbetet: cilat janë emrat më të popullarizuar në botë?
E, për vajzat, përgjigjja është fare e qartë dhe surprizuese për shumë njerëz.
Emri më i përhapur për foshnjat vajza në gjithë botën është “Sofia”.
Ky emër dominoi listat e lindjeve në plot nëntë vende të mëdha, përfshirë Meksikën, Rusinë, Kilin, Estoninë dhe Sllovakinë.
Ajo që e bën edhe më interesante këtë fenomen është fakti se variacionet e emrit—si Sophia, Sofie, Zofia, etj.—gjenden brenda 25 emrave më të përdorur në gati dy të tretat e vendeve që raportojnë statistikat zyrtare për emrat e foshnjave.
Studimi është kryer nga Laura Wattenberg, një eksperte e njohur e analizave të emrave, e cila mblodhi të dhëna nga 49 shtete të ndryshme. Ajo u shpreh se dominimi i këtij emri në nivel global është “mahnitës” dhe pothuajse i paprecedentë.
Sipas saj, popullariteti i “Sofia-s” lidhet me tingullin e butë, kuptimin e bukur që mbart (“urtësi”), si dhe faktin që është një emër i thjeshtë për t’u shqiptuar në shumë gjuhë të ndryshme.
Në një botë që bëhet çdo ditë e më globale, duket se edhe emrat po ndjekin të njëjtin trend – duke u bërë të përbashkët, ndërkulturorë dhe universalisht të dashur. Dhe “Sofia” vazhdon të jetë shembulli më i qartë i kësaj prirjeje,