Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë sonë një rast të rëndë dhune, i cili ka ndodhur ditën e djeshme në Elbasan.
Qytetari pretendon se personi që shihni në video dhunon me shufër hekuri një familjar të tij, në ambientet pranë banesës së tyre. Sipas tij, konflikti mes palëve është i hershëm dhe lidhet me një ndërtim pa leje ngjitur me banesën e tyre, ku sipas tij ushtrohet aktivitet zdruktharie me mjete të rënda si sharra dhe freza, duke shkaktuar zhurma të vazhdueshme dhe shqetësim për familjen.
Ai pohon se prej vitesh janë përballur me këtë situatë dhe se ditët e fundit kanë kontaktuar pothuajse çdo ditë Policinë e Shtetit, pasi personi në fjalë ka vijuar të vendosë struktura të përkohshme pa leje, ndërsa, sipas denoncuesit, as Policia dhe as Inspektorati i Ndërtimit nuk kanë marrë masa konkrete.
Situata, sipas tij, është përshkallëzuar ditën e djeshme, duke kulmuar me aktin e dhunës. Qytetari thekson se pavarësisht thirrjeve të bëra në numrin e Policisë së Elbasanit, nuk është marrë asnjë masë ndaj autorit të dyshuar.
Qytetari kërkon ndërhyrjen urgjente të institucioneve përgjegjëse për të hetuar ngjarjen, për të marrë masa ligjore ndaj personit të përfshirë dhe për të zgjidhur konfliktin që prej vitesh po shqetëson familjen e tij.
Denoncimi i qytetarit:
“Pershendetje desha te shperndani kete video ku ky person dhunon me shufer hekuri familjarin tim ne dritare dhe policia nuk mori asnje lloj mase .Faleminderit Kemi vite qe kemi konflikt per ndertim pa leje ngjitur me shtepine per zhurmat se ushtrohet aktivitet zdrukthari me sharra freza etj . Ditet e fundit kemi marre pothuajse perdite policine sepse ai vazhdon vendos tenda pa leje edhe Inspektoriatin ndertimor asnje mase nuk moren. Sot u agravua situata keshtu Dhe asnje lloj mase nuk mori policia Ktu kam komunikuar me nr e Policise Elbasan’
