Kryeministri Edi Rama ka zbuluar për herë të parë detaje të panjohura mbi marrëveshjen politike të 17 majit 2017 me ish-kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një interviste në emisionin “Opinion”.
Në një bisedë të gjatë me moderatorin Blendi Fevziu, Rama tha se negociatat mes tij dhe Bashës u zhvilluan vetëm mes tyre, në një nga sallat e Kuvendit, larg syve të publikut dhe pa praninë e aktorëve të tjerë politikë.
Sipas tij, marrëveshja u arrit shpejt dhe Basha “mori çdo gjë që kërkoi”.
Rama rrëfeu se zhvillimet që çuan në marrëveshje u paraprinë nga kontakte me përfaqësues amerikanë, përfshirë Hoyt Brian Yee, i cili sipas kryeministrit i kishte bërë të qartë se Qeveria kishte përmbushur detyrimet e saj dhe se përgjegjësia tashmë ishte në anën e opozitës.
“Sipas tyre, ishte zgjedhja e Partisë Demokratike dhe një fatkeqësi për të, por ne e kishim bërë tonën”, la të kuptohej Rama, duke përshkruar klimën ndërkombëtare përpara marrëveshjes.
Kryeministri tregoi se vendimin për të shkuar personalisht në Kuvend për t’u takuar me Bashën e mori pas një bisede me Gramoz Ruçin, i cili i kishte vënë dy “vija të kuqe”: data e zgjedhjeve mund të lëvizte, por posti i kryeministrit jo.
“Çdo gjë tjetër lëviz”, tha Rama se i ishte komunikuar, duke shtuar se me këtë parim u fut në negociata.
Negociatat “kokë më kokë”
Sipas Ramës, në sallën e Kuvendit ndodheshin edhe figura të tjera politike, por ai kërkoi të fliste vetëm me Bashën.
Pas një çasti hezitimi, dy liderët u ulën bashkë në një sallë tjetër dhe zhvilluan një bisedë të gjatë, e cila përfundoi me marrëveshje.
“Folëm gjatë e gjerë dhe në fund u morëm vesh”, tha Rama, duke theksuar se marrëveshja u arrit pa konflikte dhe në një klimë që ai e përshkroi si “miqësore”.
“Bekimi” i Berishës
Një nga deklaratat më të forta të Ramës ishte se marrëveshja u bë me bekimin e Sali Berishës. Kryeministri tregoi se Basha i kishte thënë se do ta konsultonte dhe se “bekimi” erdhi.
“E dha bekimin”, u shpreh Rama, duke shtuar se informacioni për këtë i ishte komunikuar drejtpërdrejt nga Basha në një takim pasardhës.
Marrëveshja e 17 majit 2017 mbetet një nga çastet më të debatuara të politikës shqiptare të dekadave të fundit, pasi i dha fund bojkotit të opozitës asokohe dhe hapi rrugën për zgjedhjet parlamentare të atij viti.
Rrëfimi i Ramës hedh dritë mbi prapaskenat e saj, duke riafirmuar se vendimi final u mor nga dy liderët, në një takim të vetëm, me një marrëveshje të plotë dhe të menjëhershme.
Teksa, një koment nga Basha mbi çështjen, ende mungon