Një foto e publikuar në rrjetet sociale nga ish-Miss Finlanda, Sarah Dzafce, ka shkaktuar polemika të forta dhe reagime të ashpra ndërkombëtare, pasi u interpretua si gjest fyes dhe rᶏcist ndaj komuniteteve të Azisë Lindore.
Në imazh, Dzafce shfaqet duke tërhequr cepat e syve, ndërsa postimi shoqërohej me mbishkrimin “duke ngrënë me një kineze”. Ky gjest, i konsideruar gjerësisht si ofendues, u bë shpejt viral dhe solli reagime të forta në Japoni, Korenë e Jugut dhe Kinë. Polemikat nuk u kufizuan vetëm te personi i saj, por prekën edhe imazhin e Finlandës, duke përfshirë kritika ndaj kompanisë ajrore kombëtare Finnair.
Pas shpërthimit të reagimeve, Sarah Dzafce, 22 vjeçe, humbi kurorën e Miss Finlandës. Ajo deklaroi se gjesti nuk kishte qenë i qëllimshëm dhe se ishte bërë si reagim ndaj një dhimbjeje koke gjatë darkës. Sipas saj, mbishkrimi i postimit ishte shtuar nga një mikeshë pa pëlqimin e saj.
Ish-Miss Finlanda kërkoi publikisht falje, duke pranuar se fotografia kishte shkaktuar keqkuptime dhe keqdashje. Ajo theksoi se respekti ndaj njerëzve, prejardhjes dhe dallimeve kulturore është një vlerë themelore për të. Megjithatë, kërkimfalja e saj u prit me kritika të reja, pasi ishte publikuar vetëm në gjuhën finlandisht, çka u interpretua nga disa si mungesë sinqeriteti.
Çështja mori edhe përmasa politike, pasi dy deputetë të krahut të djathtë në Finlandë, Juho Eerola dhe Kaisa Garedew, publikuan foto duke imituar të njëjtin gjest në shenjë mbështetjeje për Dzafce. Postimet u hoqën pas reagimeve të forta publike, ndërsa Eerola kërkoi falje, duke deklaruar se ndëshkimi ndaj saj kishte qenë i tepruar.
