Militantët demokratë janë mbledhur në bulevardin përballë Kryeministrisë të cilët kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe kabinetit të tij. Fiks nën zyrën e tij, gjithçka është gati për protestën e parë kombëtare të opozitës, pas shumë muajsh. Nuk dihet sesi do të organizohet ajo, por ditët e fundit diskursi opozitar ka qenë i ashpër ndaj pushtetit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit, si dhe institucionit të Kryeministrisë. Mbi tarracën e saj, janë shfaqur pak momente më parë dhe efektivët e Forcave Speciale RENEA, gati për çdo situatë. Më herët, Ambasada e SHBA ka lëshuar një mesazh paralajmërues për të gjithë qytetarët amerikanë në Tiranë që të tregohen të kujdesshëm sepse Partia Demokratike ka thirrur protestë kombëtare dhe mund të ketë akte dhune.