Një konflikt i vogël familjar u shndërrua në një tragjedi të përgjakshme në Florida, kur një burrë 47-vjeçar, nën ndikimin e alkoolit, vrau bashkëshorten e tij, qëlloi në fytyrë vajzën e tij 13-vjeçare nga martesa e mëparshme dhe më pas i dha fund jetës, njoftuan autoritetet lokale.
Sipas sherifit të qarkut Polk, Grady Judd, 47-vjeçari Jason Kenny ishte i dehur kur shpërtheu një debat i ashpër me bashkëshorten e tij, Crystal Kenny, pasi ajo i kërkoi të fikte ndeshjen e NFL mes San Francisco 49ers dhe Indianapolis Colts, që transmetohej në kuadër të “Monday Night Football”.
Situata u përshkallëzua aq shumë, sa Crystal Kenny dyshohet se i kërkoi djalit të saj 12-vjeçar të telefononte policinë. I mituri vrapoi i tmerruar në shtëpinë e një fqinji, nga ku dëgjoi disa të shtëna me armë zjarri, raportojnë mediat amerikane.
Kur policia mbërriti në banesën e familjes, gjeti gruan të pajetë nga një plumb, ndërsa vajza 13-vjeçare ishte qëlluar në fytyrë dhe në shpatull. Ajo u transportua me urgjencë në një spital lokal në gjendje kritike, por arriti të mbijetojë dhe të dëshmojë para autoriteteve.
“E lutesha: ‘Mos më qëllo, mos më qëllo’, dhe megjithatë më qëlloi”, mësohet se u ka thënë vajza policëve, sipas sherifit.
Djali 12-vjeçar i familjes nuk u lëndua, ndërsa vajza njëvjeçare e çiftit u gjet e padëmtuar, duke fjetur në krevatin e saj. Jason Kenny ishte njerku i dy fëmijëve më të rritur të bashkëshortes së tij.
Pas krimit, 47-vjeçari u largua nga shtëpia dhe telefonoi motrën e tij, e cila jeton në Nju Jork, duke i thënë se kishte “bërë diçka shumë të keqe” dhe se nuk do të flisnin më kurrë. Më pas shkoi në shtëpinë e të atit, ku u lokalizua nga policia. Ndërsa efektivët përpiqeshin ta bindnin të dilte nga një strehë në oborr, ai u vetëqëllua dhe humbi jetën.
Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti edhe një letër që Crystal Kenny i kishte shkruar bashkëshortit të saj, ku i kërkonte të kërkonte ndihmë për problemet e varësisë. “Ti pi, po përdor sërish kokainë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një familje. Ke nevojë për Zotin”, thuhej në letër.
Fëmijët që mbijetuan tragjedinë janë vendosur nën kujdesin e gjyshërve të tyre. “E gjithë familja u shkatërrua”, deklaroi sherifi Grady Judd, duke përshkruar një skenë që tronditi edhe policët më me përvojë. “Ishte një pemë e bukur Krishtlindjeje, me dhurata poshtë, ashtu si në një familje normale. Dhe megjithatë, gjithçka përfundoi aty,