Hetimet për atentatin e 11 nëntorit në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri, janë përqendruar te analiza e qindra kamerave të sigurisë, me qëllim identifikimin e gjurmëve të autorëve.
Nga këqyrja e pamjeve filmike janë siguruar të dhëna me interes për grupin hetimor. Sipas mediave, autorët, pasi kryen atentatin dhe dogjën mjetin tip “Toyota” me targa greke të përdorur në krim, janë larguar nga zona me një automjet të kamufluar si ambulancë.
Hetuesit dyshojnë se ky mjet ka qenë i pozicionuar në zonën pranë rrethrrotullimit të Rinasit në momentin e atentatit dhe më pas është larguar në drejtim të fshatit Halil, pasi autorët janë siguruar se vrasja ishte kryer.
Pas ngjarjes, mjeti “Toyota” është djegur në një zonë të pyllëzuar dhe kodrinore në fshatin Halil, ku dyshohet se autorët janë larguar me automjetin tjetër të kamufluar si ambulancë, në një drejtim ende të paditur. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.