Kryeministri Edi Rama duket se është në qendër të një stuhie të paprecedentë politike dhe ligjore, pas një vargu përgjimesh dhe dosjesh që nxjerrin në pah lidhje të tij dhe të familjarëve me afera të dyshimta financiare. Viti 2026 pritet të sjellë “goditjen e madhe”, me prova që mund të ndryshojnë rrënjësisht skenën politike shqiptare.
Gazeta “SOT” ka mësuar se situata është aq serioze sa parashikohet se kryeministri Rama mund të detyrohet të largohet nga posti i tij për të shmangur një krizë të thellë politike dhe përballje ligjore. Një kombinim i provave të reja, përgjimeve dhe deklaratave të ish-ministrave mund të krijojë presion të paparë mbi Ramën, ku burime nga Kryeministria thonë se shefi i qeverisë flitet si iu ka thënë bashkëpunëtorëve të tij mëtë ngushtë se largimi është një opsion i parë për të shmangur thellimin e krizë politike. Ndërkohë viti i ri që do të vijë mund të jetë vendimtar: nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) arrin të verifikojë implikimet direkte të Ramës në skemat e korrupsionit, vendimi për largimin mund të bëhet i pashmangshëm.
Madje thuhet se epoka e Ramës në krye të qeverisë mund të përfundojë në mënyrë dramatike dhe të papritur, pasi përgjimet që do të dalin në janar nxjerrin “lakuriq” kryeministrin me familjarët e tij të përfshirë në afera. Kështu që në këtë situatë, çdo lëvizje e Ramës do të monitorohet nga të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa opinioni publik pret zbardhjen e përgjimeve që mund ta detyrojnë atë të japë dorëheqjen.Në vijim, po paraqesim dosjet kryesore ku dyshohet se kryeministri është i përfshirë, të cilat mund të vendosin të ardhmen e tij politike.
Inceneratorët: Barrikadë korrupsioni
Hetimet e SPAK zbulojnë se vendimi i Ramës për inceneratorin e Tiranës në 2016, me firmën e tij në VKM nr. 855, favorizoi një kompani që nuk ekzistonte ende. Ish-ministri Arben Ahmetaj tashmë e akuzon publikisht Ramën si përgjegjësin kryesor të skemës. “Shëmbëlltyrë kuptimplotë e teknologjisë së fundit”, kishte deklaruar Rama për impiantin, duke i falënderuar publikisht përfituesit e aferës.
Dosja “McGonigal”: Implikohet kryeministri
SPAK po heton gjithashtu lidhjet e Ramës me ish-agjentin amerikan McGonigal, që ka pranuar marrjen e 225,000 dollarëve për aktivitete të paligjshme në Shqipëri. Prokurorët kanë dërguar letër-porosi në SHBA për të marrë të gjithë dokumentacionin që mund të implikojë Ramën dhe këshilltarin e tij të ngushtë, Dorian Duçka, në korrupsion aktiv dhe shpërblim të paligjshëm për kompani të huaja. Po ashtu, përgjimet e “SKY ECC” nxjerrin në pah lidhje të afërta mes PS-së dhe krimit transkufitar, përfshirë klanin Sinaloa dhe individë të njohur shqiptarë si Luftar Hysa dhe Besnik Lulaj. Këto implikime rrezikojnë të krijojnë një krizë të paprecedentë politike dhe ligjore për Ramën.
Belinda Balluku dhe afera e AKSHI-t
Prokuroria po heton tenderin e tunelit të Llogarasë, ku kostot janë fryrë me 30 milionë euro për një kompani turke që nuk kryen asnjë punim. Mesazhet e Ramës me ministren Balluku tregojnë një përpjekje për të favorizuar kompaninë, duke rrezikuar të shpallë kryeministrin përgjegjës direkt. Dosja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit tregon përfitime të jashtëzakonshme për familjarë të kryeministrit, përfshirë baxhanakun Armand Frangu dhe bashkëshorten e tij Linda Rama. Fitime “përrallore” të Ergys Agasit, një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit, kanë rritur kapitalin e tij nga 1 mijë euro në mbi 200 milionë euro brenda pak muajsh.
Madje implikimin e kryeministrit Edi Rama dhe familjarëve të tij në dosjet e “AKSHI-t” dhe “Ballukut” i solli në vëmendje dje edhe kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha. “Ne në kushtet kur ky regjim, Edi Rama pasi është dokumentuar nga prokuroria se kanë abuzuar miliarda para të qytetarëve dhe ka hequr çdo maskë në mbrojtje të flaktë të vjedhjeve dhe abuzimeve të parave të shqiptarëve, sepse është vetë i implikuar. Dy dosjet e Lubisë, qoftë tuneli qoftë unaza, Rama del aq sa Lubia me mesazhet. Kurse AKSHI, AKSHI i kunatit dhe familjes është historia më unike në Evropë dhe Botë, ku në një agjenci shtetërore merresh peng sepse merr pjesë në tendera për ti hapur rrugë kunatit. Merresh peng dhe nuk hetohesh. Edi Ramapërgjegjësitë i ka më të rënda se Lubi Balluku sepse nëse ata kanë vjedhur dhe shpërdoruar miliarda në veprat publike, ndërmarrja, kopshti privat i Edi Ramës, AKSHI, nuk është kontrolluar nga Lubi Balluku.
AKSHI ka qenë ekskluzivitet total i familjes Rama. Në dosjen e AKSHI-t janë veprat më të shëmtuara në historinë e kombit, vjedhja e plotë dhe totale të gjitha të dhënave të sigurisë kombëtare dhe ato që vijnë nga Aleanca e Atlantikut të Veriut në Shqipëri. Kalimi i këtyre të dhënave në duart e bandave dhe armiqve të betuar të kombit shqiptar dhe NATO-s. Dosja e AKSHI-t nuk është pra vetëm dosja e vjedhjeve të qindra milionë eurove përmes baxhanakut të tij në AKSHI, dhe implikimit siç tregojnë regjistrimet të bashkëshortes së tij në përcaktimin e fituesve, nuk është vetëm pengmarrjet, 3 pengmarrje jo 2, Gerond Meçe me 12 gusht, Daniel Shima një javë më vonë dhe një tjetër biznesmen i ri i marrë peng për shkak të lojërave të fatit, monopol ekskluziv dhe total i kartelit të drogës në Elbasan”, deklaroi dje kreu i PD, Sali Berisha gjatë një konference për gazetarët nga selia blu.
Pra nga inceneratorët tek dosja McGonigal, tuneli i Llogarasë dhe AKSHI, çdo provë po shtrin gishtin drejt Ramës dhe rrjetit të tij të afërt. Përballë SPAK, provat dhe përgjimet e reja mund të bëjnë që kryeministri i Shqipërisë të përballet me pasojat më të rënda të karrierës së tij politike. Viti i Ri 2026 mund të jetë vendimtar, një vit ku Rama mund të humbasë jo vetëm imazhin, por edhe postin e tij të kryeministrit. Megjithatë në një kohë kur Shqipëria shikon drejt një hetimi të pakthyeshëm të korrupsionit të nivelit më të lartë, pyetja që mbetet është: A do të mbijetojë Edi Rama politikisht, apo po afrohet fundi i epokës së tij në krye të qeverisë?
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë,