Gazetari Elton Tozaj është dhunuar barbarisht ditën e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka ndarë një foto ku shihet i dhunuar dhe me shenja në fytyrë nga goditjet. Familja ka bërë të ditur se Elton Tozaj ndodhet aktualisht në gjendje të rënduar shëndetësore dhe po merr trajtim intensiv mjekësor. Sipas tyre, situata është delikate, pasi gazetari po lufton për të mos humbur shikimin.
Gazetati ka pasur një përplasje me moderatoren Luana Vjollca disa javë më parë. Luana Vjollca poston herë pas here video ku tregon se nuk kalon dot në koridorin e shtëpisë dhe shkallët e pallatit, për shkak të trëndafilëve të tepërt që i dhurojnë. Por, ish-banori i Big Brother Elton Tozaj tha në një emision televiziv (Zgjohu në MCN) se Luana Vjollca është ‘fiksuar’ keq me ish-partnerin e saj Krenar Çoçaj, të cilin sipas tij e përndjek.
Tozaj pohoi se moderatorja e njohur po e përndjek Kenon, i cili së fundmi është lidhur me Endi Demnerin, të cilën thuhet se e ka patur ‘fiksim’ edhe kur ishte i lidhur me Luanën. Teksa komentoi edhe lidhje e ndarje të çifteve të tjera, Tozaj theksoi se Luana po ndjek këmba-këmbës ish të dashurin Krenar Çoçajn.
“Luana Vjollca po përndjek Endi Demnerin dhe ish të fejuarin e saj. Po i përndjek këmba-këmbës. Madje në fluturimin e fundit që ata kanë pasur drejt Milanos, Endi Demneri me Çoçajn, çuditërisht në të njëjtin avion ishte edhe Luana Vjollca. Thonë se ka ndodhur disa herë“, tha Tozaj.
Moderatorja Luana Vjollca vendosi t’a padisë zyrtarisht gazetarin, pasi deklaratat e tij janë konsideruar nga pala e saj si të pavërteta, denigruese dhe cënuese për figurën e saj publike. Gazetari i showbizit Elton Tozaj, i ftuar në programin “Zgjohu me MCN”, sqaroi qëndrimin e tij, duke thënë se nuk ka frikë nga procesi gjyqësor dhe se, sipas tij, nuk ka bërë deklarata që tejkalojnë atë që “flitet në publik”.
“Mundohen të më intimidojnë në mënyra të ndryshme që të mos flas. Kësaj here më telefonoi avokati i Luanës. I thashë qartë: nëse do të më hedhësh në gjyq, vazhdo. Nuk kam pse të kem frikë, sepse nuk kam thënë asgjë që unë ta konsideroj të pavërtetë. Komentet e mia lidhen me diskutimet rreth pranisë së Vjollcës në media dhe me zërat që qarkullojnë në opinion publik, të cilët nuk i kam shpikur vetë. Unë kam thënë që Luana është një vajzë shumë e përshtatshme për të prezantuar ‘Ferma VIP’. Sa i përket udhëtimit në Milano dhe personave që është parë, kam përmendur vetëm atë që flitet“, tha ai.
Tozaj ngriti edhe disa pyetje që, sipas tij, “qarkullojnë në publik” dhe që pretendon se moderatorja duhet t’i sqarojë vetë që flasin se ajo ëhstë në lidhje me nje personazh nga bota e krimit, duke aluduar për Artur Hoxhosmanin, i arrestuar nga SPAK për trafik droge.
“Përpara se të më hedhë mua në gjyq, le të japë përgjigje për zërat që thonë se është në një lidhje me një person që po hetohet nga SPAK.
Ky është personi që i sjell lule, këto thonë ata që e njohin, që është e lidhure me një personazh nga bota e erret e krimit, me iniciale A.H, nuk e di saktë nëse është e vërtetë dhe do doja të mos ishte dhe vajza në fjalë të paktën ta përgënjeshtronte këtë lajm.
Unë nuk them se është e vërtetë, thjesht them se kështu flitet. Nuk kam akuzuar asnjëherë Vjollcën për pretendimet që qarkullojnë në rrjete e portale. Unë nuk kam thënë as që ka ‘zaptuar shtëpinë e ish-të dashurit’, as që është në lidhje me ndonjë personazh të botës së krimit. Këto i thonë të tjerët, jo unë. Unë vetëm po i rikthej si pyetje që i bën publiku. Vendet publike janë vende publike. Nëse shihen me dikë, nuk është faji i gazetarëve“, tha ai.
Unioni i Gazetarëve: Elton Tozaj u rrah në mes të rrugës nga persona që janë identifikuar, pse nuk arrestohen?
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas dhunimit brutal të gazetarit të shou bizz, Elton Tozaj, ngjarje kjo e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, në prani të dhjetëra dëshmitarëve.
“Dhuna ndaj gazetarit Elton Tozaj, akt kriminal që duhet zbardhur dhe autorët të ndëshkohen!
UGSH ndan me shqetësim dhe tronditje lajmin e publikuar nga shumë media dhe familjarë të gazetarit Elton Tozaj, për dhunimin barbar që persona të identifikuar kanë kryer mbi kolegun.
Ngjarja e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, e vërejtur nga dhjetra kalimtarë, përbën një akt kriminal dhe dhunues. Gazetari Tozaj për këtë arsye, sipas familjarëve, ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe në luftë për ruajtjen e shikimit.
UGSH kërkon sqarimin zyrtar të këtij episodi dhe ndëshkimin e dhunuesve, sikundër i urojmë kolegut shërim të shpejtë dhe të plotë”, thuhet në reagim.