Policia e Shkodrës ka zbardhur vrasjen e 67-vjeçarit Hysni Ymeri, i cili humbi jetën më 29 dhjetor 2025 si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm me lëndë eksplozive në lagjen “Manush Alimani”.
Ngjarja ndodhi në momentin kur viktima kishte mbërritur në hyrjen e pallatit ku banonte dhe po ngjitej drejt apartamentit të tij në katin e katërt, kur një sasi tritoli e vendosur në panelin elektrik të godinës shpërtheu, duke i marrë jetën në vend.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “SHADOWS”, Policia e Shkodrës ka vënë në pranga katër persona, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje. Të arrestuarit janë:
Gerti Bushati, 27 vjeç
Ergys Ibrahimi, 27 vjeç
Edison Hasaj, 25 vjeç
Gjergji Zefi, 24 vjeç
Sipas policisë, këta shtetas, kundrejt pagesës dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, kanë përdorur lëndë eksplozive të dyshuar me telekomandim në distancë, duke shkaktuar shpërthimin e panelit elektrik të pallatit ku banonte Hysni Ymeri.
Operacioni policor u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë – Njësia Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe strukturave të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të banesave, ambienteve dhe kontrolleve personale, policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
28 telefona celularë
1 automjet Mercedes-Benz
rrobat e përdorura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive
municion luftarak
një sasi parash në lekë dhe euro
një sasi lënde narkotike dhe kokaine
3 pajisje gjurmuese GPS
2 kamera sigurie
1 laptop
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, dokumentimin e plotë të saj si dhe për zbardhjen e motiveve të vrasjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale:
“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim
“Prishja e qetësisë publike”