Një ngjarje e rëndë kriminale është shënuar në Orikum, ku një grua ka humbur jetën, ndërsa dyshohet se autori i ngjarjes, ish-bashkëshorti i saj, ka humbur gjithashtu jetën pas ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake, viktima ishte kthyer së fundmi nga Italia, ku jetonte prej vitesh, për të kaluar pushimet në Shqipëri.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çifti ishte i ndarë prej disa vitesh dhe janë prindër të dy djemve.
Dyshohet se gruaja ka humbur jetën si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj, ndërsa ka indicie të forta se autori, pas kryerjes së krimit, nuk ka mbijetuar. Rrethanat e sakta dhe dinamika e ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Çfarë tha policia
Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.