Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar në fshatin Vjosë të Fierit, ku 46-vjeçari Altin Meçaj, emigrant në Gjermani, ka rënë pre e një sulmi brutal mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00. Sipas dëshmisë së tij, shkak për konfliktin është bërë një “like” dhe një koment në Facebook që ai i kishte bërë motrës së Fredi Lamajt, i cili sipas tij është pjesë e strukturave policore në Fier. Meçaj ndodhet aktualisht i shtruar në urgjencën e Fierit, së bashku me babanë e tij, 76-vjeçarin Ylli Meçaj, i cili ka pësuar dëmtime në kokë nga goditjet.
Altini rrëfen se pak para ngjarjes kishte marrë një mesazh kërcënues nga Fredi Lamaj me tekstin “Nuk e di me kë je mpleksur”, ndërsa ndodhej në një lokal të fshatit. Sapo kishte mbërritur në banesë, dritat e shtëpisë së tij ishin fikur dhe ai ishte thirrur me emër nga jashtë. Në momentin që kishte dalë në derë, është goditur brutalisht nga disa persona, duke humbur ndjenjat. Sipas tij, i ati ka ndërhyrë për ta ndihmuar, por edhe ai është dhunuar.
Në deklaratën e tij, Altin Meçaj shprehet se nuk mund ta pranojë që një “like” apo një koment në rrjetet sociale të përfundojë në dhunë fizike dhe shtrim në spital. Ai kërkon drejtësi dhe hetim të plotë të ngjarjes, ndërsa babai i tij, i prekur emocionalisht, ka bërë thirrje për siguri dhe mbrojtje për familjen. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në zonë dhe pritet reagimi i institucioneve për zbardhjen e plotë të saj.