Një nga emrat më të njohur të botës së krimit, Altin Ndoci, është arratisur nga spitali i Durrësit.
Momenti kur Ndoci i shpëtoi policisë, teksa ishte duke kryer disa vizita mjekësore. Ai po trajtohej për një infeksion në mushkëri, kur kërkoi të shkonte në tualet.
Por befas, gjatë shoqërimit, ai goditi punonjësin e sigurisë i cili ishte i vetëm dhe më pas doli me shpejtësi nga pavioni. Në parkim e priste një makinë me ngjyrë të bardhë, me të cilën ai arriti të largohej nga spitali. Në planin e arratisjes është përfshirë edhe një mjet tjetër.
Dy policët që po e shoqëronin e ndoqën deri jashtë ndërtesës, por nuk arritën ta ndalnin. Pamjet tregojnë njërin prej punonjësve të policisë më armë në dorë, i cili qëlloi në ajër për të parandaluar arratinë e Ndocit, por pa sukses. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur ai u largua drejt zonës së Spitallës.
Forca të shumta policie ngritën postblloqe, ndërsa Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve pezulloi nga detyra zinxhirin komandues të paraburgimit të Durrësit.
Altin Ndoci ndodhej në qeli që prej majit të vitit 2020 i arrestuar me urdhër të SPAK për dosjen “Plumbi i Artë”. Atë kohë ai u akuzua për vrasjen e katër personave: dy vëllezërve, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia, si dhe të Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Akuzat u ngritën pas dëshmive të dhëna nga ish-bashkëpunëtori i drejtësisë, Klevis Alla. Por pasi thëniet e tij rezultuan të pavërteta, Ndoci u shpall i pafajshëm.
Megjithatë ai nuk doli nga burgu pasi emri i tij u përmend nga Nuredin Dumani si i përfshirë në vrasjen e Andi Zylyfit dhe për disa atentate të tjera, si anëtar i bandës së “Çopjave” në Elbasan. Ndërsa Erion Alibej e ka akuzuar Altin Ndocin si të përfshirë në masakrën e Bradasheshit./vizionplus