Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara, ku një fëmijë 11-vjeçar dyshohet se ka vrarë babanë e tij, pasi ky i fundit i kishte marrë levën e videolojës Nintendo Switch.
Sipas autoriteteve amerikane, incidenti ka ndodhur më 13 janar në Perry County, në shtetin e Pensilvanisë. Policia u thirr në orët e vona të natës dhe gjeti 42-vjeçarin Douglas Dietz të pajetë në shtratin e tij.
Bashkëshortja e viktimës, e cila ndodhej në gjumë në momentin e ngjarjes, u zgjua nga një zhurmë e fortë. Fillimisht ajo tentoi ta zgjonte bashkëshortin, por pa sukses. Vetëm pasi ndezi dritën, kuptoi se ai kishte humbur jetën.
Sipas raportimeve të mediave lokale, fëmija i ka thënë nënës se ishte përgjegjës për atë që kishte ndodhur. Hetimet paraprake tregojnë se i mituri kishte gjetur çelësat e një arme të mbajtur të mbyllur, ndërsa kërkonte pajisjen e lojës që i ishte konfiskuar më herët.
Autoritetet bëjnë me dije se arma është përdorur nga fëmija, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim. Gjykata ka refuzuar lirimin e tij me kusht, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Ngjarja ka rihapur debatin në SHBA mbi sigurinë e armëve në familje dhe aksesin e të miturve ndaj tyre.