18 Janar, 2026
Një konflikt familjar ka përfunduar me arrestim dhe procedim penal në qytetin e Korçës.
Policia bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasen M. R., 58 vjeçe, banuese në Korçë, ndërsa referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen K. R., 43 vjeçe, gjithashtu banuese në Korçë.
Sipas policisë, dy shtetaset, kunata mes tyre, dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëra-tjetrës pas një konflikti për motive familjare. Si pasojë e ngjarjes, shtetasja K. R. është pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Dhuna në familje”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.