Mbrëmja e djeshme e Prime-t të “Big Brother VIP 5” u shoqërua me një moment të papritur nga ana e Lornës. Banorja e shtëpisë më të famshme në Shqipëri vendosi që të ndante me banorët dhe publikun një detaj të rëndësishëm nga jeta e saj private.
Gjatë spektaklit, pasi u tentua të provokohej nga banorët dhe moderatori në lidhje me një banor të ri që hyri në shtëpi, Lorna reagoi ndryshe nga sa pritej.
Ajo zgjodhi t’i japë fund spekulimeve duke uruar publikisht partnerin e saj për ditëlindjen e 39-të, duke konfirmuar kështu se zemra e saj është tashmë e zënë.
Banorja zbuloi se i dashuri i saj është reperi shqiptar, Dren Kaleci, një emër i njohur në skenën muzikore, i cili prej vitesh jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij artistik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lorna i dërgoi një mesazh përshëndetës partnerit të saj, duke lënë të kuptohet se lidhja e tyre është serioze dhe e rëndësishme për të.
Ndërkohë Dreni ka publikuar në “Instastory” videon ku Lorna i uroi ditëlindjen dhe postimin e ka shoqëruar me fjalët: “Faleminderit Lorna” dhe me emoiji zemre dhe disa duar.
Ky urim i drejtpërdrejtë shërbeu si një konfirmim publik i marrëdhënies së saj, duke shuar njëherë e mirë kureshtjen e publikut dhe ndjekësve të “Big Brother VIP 5” për jetën private të Lornës.
