TIRANË – Një përplasje ka ndodhur mes demokratëve Gent Strazimiri, Klevis Balliu dhe Tomor Alizoti dhe forcave të policisë gjatë protestës së opozitës në kryeqytet. Situata ka eskaluar në momentin kur disa qytetarë janë lënduar dhe një ambulancë ka ndërhyrë për t’i transportuar drejt spitalit.
Nga njoftimet paraprake rezulton se në mesin e të lënduarve është edhe një punonjës i medias, i cili ka marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje. Policia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për incidentin dhe për shkakun e saktë të përplasjes.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka dalë para mediave dhe ka akuzuar policinë për dhunë ndaj qytetarëve. “Policia ka dhunuar qytetarët me urdhër të Ramës dhe drejtorëve të kapur politikisht dhe nga krimi. Qëndresa vijon, qytetarët do të qëndrojnë!”, deklaroi Boçi.
Ngjarja vjen pas një serie tensionesh gjatë protestës, ku u regjistruan hedhje molotovsh dhe përdorim i gazit lotsjellës nga forcat e rendit. Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës dhe kontrollet në zonë, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë tubimet.