KUJDES/ Arrestohet çifti, mashtronin qytetarët me kontrata shitblerjeje apartamentesh

Tiranë – Një çift agjentësh imobiliar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se kanë mashtruar disa qytetarë duke iu premtuar blerjen e apartamenteve, ndërsa më pas përvetësonin paratë dhe falsifikonin dokumente bankare.

Në pranga kanë rënë shtetasit Elvis Ramca, 39 vjeç, dhe Veriana Ziu, 34 vjeçe, bashkëjetues, të cilët u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar “Agjentët e rremë”.

Sipas hetimeve, çifti u merrte qytetarëve shuma të konsiderueshme parash, duke i mashtruar se do t’u blinin apartamente. Pas përvetësimit të parave, ata falsifikonin mandate banke për t’i bindur viktimat se pagesat ishin depozituar.

Dokumentet e falsifikuara u paraqiteshin gjithashtu edhe shoqërive të ndërtimit, me qëllim mashtrimin e tyre dhe lidhjen e kontratave fiktive për shitblerje apartamentesh.

Operacioni u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas kallëzimeve të disa qytetarëve të dëmtuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.