Është zbardhur dinamika e përplasjes me armë zjarri në Rrile të Lezhës mbrëmjen e 1 shkurtit. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, është zbuluar se autorët kishin informacion të saktë për praninë e Merando Nikulajt në berberhane, i cili ishte edhe objektiv i atentatit.
Dy prej autorëve të maskuar dhe me shkopinj bejsbolli, kanë hyrë në sallon, duke çuar më pas në një shkëmbim të fortë zjarri ku mbeti i plagosur gabimisht me 3 plumba në trup pronari i berberhanes, Sokol Daçi.
Hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se për t’i neutralizuar, i pari që ka qëlluar me armë zjarri ishte efektivi i patrullës së përgjithshme, Besart Kovaçi 24 vjeç. Pasi janë hasur me të shtënat, autorët e tjerë që qëndronin në dy mjetet kanë qëlluar me mbi 30 plumba kallashnikovi në drejtim të sallonit.
Deri në këtë fazë të hetimit janë identifikuar 3 nga të dyshuarit, Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, të cilët janë shpallur në kërkim me akuzën e tentativës së vrasjes.
Po për të njëjtën vepër penale policia ka shpallur në kërkim edhe 21-vjeçarin Nikulaj, i cili dyshohet se ka mbetur i plagosur në këmbë, pasi teksa është larguar nga vendngjarja, është kapur nga kamera e sigurisë duke ecur me vështirësi. Ai dyshohet po ashtu të ketë qëlluar me armë zjarri nga brenda berberhanes.
Policia po ushtron kontrolle në disa zona ku dyshohet se mund të jenë fshehur të kërkuarit, por nuk është mundur të bihet në gjurmët e tyre. Ndërkohë me urdhër prokurorie u ndalua efektivi Besart Kovaçi i dyshuar për shpërdorim detyre.
Shkak i përplasjes me armë dyshohet të jetë bërë një konflikt i ndodhur një vit më parë mes pjesëtarëve të familjes Ndoka dhe Merando Nikulajt. Sherri mes tyre ka ndodhur në muajin mars 2025, në zonën e Kunes në Shëngjin.
Në atë kohë Merando Nikulaj dhe një kushëri i tij janë përfshirë në një sherr pranë zonës së plazhit, ku familjet kanë hotel. Në atë përplasje, dy të rinj të familjes Nikulaj dyshohet se kanë përplasur me motor dy të rinj të fisit Ndoka, duke çuar më pas në një konflikt fizik, ku janë përdorur shkopinj bejsbolli dhe sende të forta.