Tiranë – Analizat e fundit të kryera mbi bukët e shitura si “integrale” në tregun shqiptar tregojnë se disa prej produkteve nuk përmbushin nivelin minimal të fibrave të kërkuar për të konsideruar një bukë si integrale.
Një nga mostrat e analizuar përmbante vetëm 0,82 gram fibra për 100 gram produkti, shumë më poshtë standardit minimal të Bashkimit Evropian, që është rreth 6 gram për 100 gram. Ekspertët shprehen se kjo situatë përbën një mastrim të konsumatorit, pasi produkti nuk ofron përfitimet ushqimore që presin konsumatorët.
“Sasia e ulët e fibrave tregon se buka nuk është integrale. Përdorimi i ngjyruesve për të dhënë pamjen e bukës së zezë është abuziv dhe jo natyral,” shprehet kimisti Ilir Pecnikaj.
Pedagoge Ana Vuksani nga UBT shton: “Ky mashtrim ka pasoja jo vetëm ekonomike për konsumatorin, por edhe shëndetësore. Përdorimi i aditivëve dhe ngjyruesve të tepruar mund të rrisë rrezikun për sëmundje serioze, përfshirë kancerin. Sipas Kodit Penal të ndryshuar në 2019, ky lloj mashtrimi përbën vepër penale.”
Analizat tregojnë se bukët integrale të tregut evropian zakonisht përmbajnë mbi 6–7 gram fibra për 100 gram. Ekspertët vënë në dukje se, përveç mungesës së fibrave, në Shqipëri kontrolli shtetëror mbi cilësinë e bukës integrale është i pamjaftueshëm, dhe deri tani nuk është regjistruar asnjë rast penal ndaj prodhuesve që mashtrojnë konsumatorin.
Specialistët këshillojnë konsumatorët të jenë të kujdesshëm, të kontrollojnë përbërjen dhe të zgjedhin prodhues të besueshëm për të siguruar një bukë integrale me vlera ushqimore reale.