Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e 2 shkurtit në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, në Lezhë, ku një person mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri gjatë një sulmi të organizuar në një berberhane.
Gazetari Artan Hoxha ka publikuar pamjet e atentatit, ku duken momentet e sulmit me armë automatike.
“Të frikshme përmasat e sulmit me kallashnikovë në fshatin Rrilë të Lezhës. Fuqia e zjarrit ndaj berberhanes së Sokol Dacit, i plagosur rëndë, duket si një sulm kartelesh në Amerikën Latine. Vetëm Zoti, duket se u tregua i mëshirshëm, pasi bëri të mundur të shpëtohen nga vdekja e sigurt jetët e personave që ndodheshin brenda dhe jashtë berberhanes, në një hapësirë prej rreth 10 metrash katrorë.
Në pamje shihet momenti kur dy autorë të armatosur me kallashnikovë, të dyshuar si pjesëtarë të fisit Ndoka, hapin zjarr drejt berberhanes së Sokol Dacit, brenda së cilës ndodheshin dy pjesëtarë të fisit Nikulaj dhe një efektiv policie, mik i tyre.
Në shkëmbimin e zjarrit dyshohet se janë përfshirë të paktën katër persona, dy të armatosur me pistoleta nga brenda lokalit dhe dy me kallashnikovë nga jashtë”, shkruan Hoxha bashkëngjitur videos së publikuar në rrjetet sociale.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim katër persona, tre të rinj nga fisi Ndoka dhe Merando Nikulajn, i cili dyshohet se ishte shënjestra e atentatit dhe ndodhej brenda berberhanes, i shoqëruar nga një punonjës policie me inicialet B.K.
Ky i fundit është ndaluar me urdhër të prokurorisë për veprën penale “shpërdorim i detyrës”.
Sipas hetimeve paraprake, Merando Nikulaj dhe punonjësi i policisë kishin qenë duke darkuar dhe më pas ishin drejtuar në Rrilë për t’u qethur. Autorët, të cilët dyshohet se lëviznin me dy automjete, një “Audi” dhe një “Passat”, i kanë ndjekur deri në momentin që kanë mbërritur në berberhane dhe më pas kanë zbritur nga mjetet duke hapur zjarr.
Gjatë kontrollit në ambientet e brendshme të berberhanes, policia ka gjetur një çantë krahu me një krehër arme brenda, ndërsa mungonin dokumentet e identifikimit. Ka dyshime se është përdorur edhe një armë e dytë nga personat që ndodheshin brenda lokalit.
Shkak i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë një konflikt i mëparshëm mes të rinjve të fiseve Nikulaj dhe Ndoka, i ndodhur më 9 mars 2025 në Shëngjin, i cili asokohe u raportua zyrtarisht si aksident rrugor dhe nuk u hetua si konflikt kriminal.