Gjatë mbrëmjes së sotme, Policia e Kosovës ka arrestuar një shofer i cili kishte tentuar t’u shmangej duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Sipas policisë, një njësi eë saj kishte tentuar të ndalonte një automjet në zonën e Obiliqit, mirëpo drejtuesi i tij nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Vushtrrisë, e më pas në Mitrovicë. Gjatë ikjes, shoferi ka rrezikuar drejtpërdrejt një zyrtar policor.
“Në koordinim me njesitet e Stacionit Policor te Obiliqit, ndjekja dhe per ta ndalur automjetin e dyshuar ka vazhduar nga Njësitë e trafikut rrugor të Mitrovicës së Jugut, të cilet vazhdimisht kanë përdorur sinjalizime për ndalim. Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit ka rrezikuar vazhdimisht pjesëmarrësit e tjerë në trafik, ndërsa në zonën e Mitrovicës, në tri lokacione të ndryshme, ka goditur tri herë veturen policore qe ishte ne ndjekje”.
“Falë shkathtësisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve policorë, të cilët kanë vepruar me qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi, duke shfrytëzuar një lokacion të përshtatshëm pa rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik, në rrugën nacionale Mitrovicë – Zubin Potok, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Zupç, kanë arritur ta ndalojnë automjetin dhe të arrestojnë shoferin dhe tre pasagjerët”.
“Dy zyrtarë policorë, të cilët kanë pësuar lëndime gjatë ndjekjes, kanë kërkuar trajtim mjekësor.
Me vendim të prokurorit kompetent, shoferit i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet për rastin janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”, njofton policia, transmeton Klankosova.tv.