Detaje të reja dalin në dritë lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 4-vjeçar që humbi jetën në Vlorë, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe komunitetin lokal.
Sipas familjarëve, simptomat shëndetësore te i mituri dyshohet se janë shfaqur pasi ai kishte konsumuar mjaltë, megjithëse kjo mbetet ende një pistë e pakonfirmuar zyrtarisht. Fëmija ka shfaqur të vjella të shumta, temperaturë dhe shqetësime gastrointestinale, të cilat në fillim u mendua se ishin qetësuar, por gjendja e tij u përkeqësua sërish në ditën fatale.
Familjarët bëjnë me dije se, pasi simptomat u rikthyen dhe u rënduan, fëmija u nis me urgjencë drejt qendrës shëndetësore në Dukat, por fatkeqësisht mbërriti pa shenja jete, fakt i konfirmuar edhe nga mjekët e pranishëm.
Pas konstatimit të vdekjes, trupi i të miturit u shoqërua në Spitalin Rajonal të Vlorës, në repartin e pediatrisë së madhe, ku mjekët nuk mundën të ndërhyjnë për ta shpëtuar, për shkak se fëmija kishte ndërruar jetë më herët.
Sipas burimeve zyrtare, ekzaminimet paraprake nuk kanë konstatuar shenja dhune apo dëmtime fizike, ndërsa autoritetet shëndetësore janë në pritje të rezultateve të analizave laboratorike dhe biopsisë, të cilat pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes.
Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të thellë te familjarët dhe banorët e zonës, ndërsa institucionet përkatëse po ndjekin procedurat standarde për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie,