Një burrë nga Teksasi nuk do përballet me akuza penale pasi qëlloi për vdekje me armë të bijën 23-vjeçare. Ata patën një përplasje të ashpër në një debat të nxehtë politik rreth Presidentit Donald Trump.
Lucy Harrison, e cila kishte ardhur të vizitonte familjen e saj nga Mbretëria e Bashkuar, u qëllua në gjoks nga i ati në shtëpinë e tyre në Prosper, Teksas, më 10 janar 2025, dhe më pas ndërroi jetë nga plagët e marra.
Dëshmitë në gjykatë treguan se Lucy dhe babai i saj kishin pasur një “debat me tonë të larta” për Trump vetëm pak para inaugurimit të tij të dytë, teksa tensionet ishin akumuluar prej ditësh.
Gjatë një shkëmbimi fjalësh, Lucy e pyeti se si do të ndihej ai nëse ajo do të kishte qenë viktimë e një sulmi seksual. I dashuri i saj dëshmoi se i ati iu përgjigj: “Nuk do të më shqetësonte aq shumë sepse kam dy vajza të tjera.” Lucy, e tronditur pas përgjigjes, u ngjit në dhomën e saj në katin e dytë të shtëpisë.
Pak minuta më vonë, vetëm pak para se ajo të nisej për në aeroport, i ati shkoi në dhomën e saj. Sekonda më pas, u dëgjua një e shtënë.
Kris Harrison i tha policisë se ai po ndiqte lajmet dhe i ofroi Lucyt pistoletën e tij Glock ta shihte. “Dëgjova një të shtënë të fortë dhe nuk kuptova çfarë kishte ndodhur,” tha ai. Ai pranoi se kishte pirë atë ditë dhe më vonë deklaroi se nuk mbante mend nëse gishti i tij ishte mbi shkrepësen e armës.
Megjithëse rasti u hetua fillimisht si vrasje jo me paramendim, autoritetet e kanë trajtuar incidentin si një të shtënë aksidentale, dhe nuk do të ngrihen akuza ndaj babait.
Nëna e Lucyt e përshkroi atë si një vajzë “të apasionuar dhe të hapur, dikush që i interesoheshin shumë çështjet që diskutonte.”