Hunda e elefantit është një mrekulli e natyrës: mund të ngrejë një pemë të tërë, por edhe të kapë një patatinë pa e thyer. Ky kombinim i jashtëzakonshëm aftësish është i mundur në sajë të mustaqeve të tyre, zbuluan shkencëtarët në një studim të botuar në revistën amerikane Science.
Studiuesit shpjegojnë se qimet e forta dhe ndijore që mbulojnë proboçidën (hundën) e elefantit funksionojnë si antena, duke i dhënë atij ndjeshmëri të lartë dhe aftësi për të manipuluar objekte me saktësi. Elefantët lindin me rreth 1.000 qime ndijore, të cilat zakonisht quhen “mustaqe”. Shumica prej tyre ndodhen në palosjet e proboçidës dhe ndihmojnë kafshën të perceptojë mjedisin përreth.
Këto qime nuk janë thjesht dekorative: ato janë organe ndijore që i japin elefantit një “dorë të dytë” të padukshme. Sajë tyre, ai mund të dallojë tekstura, të kapë ushqim delikat, të shmangë pengesa dhe të kryejë veprime të ndërlikuara.
Në studim morën pjesë inxhinierë, neurofiziologë dhe biologë, të cilët analizuan mënyrën se si këto qime bashkëpunojnë me muskujt e shumtë të proboçidës. Rezultati: një sistem i sofistikuar që e bën elefantin një nga kafshët më të shkathta dhe inteligjente në natyrë.
Ky zbulim tregon se sekreti i aftësisë së tyre nuk qëndron vetëm te madhësia apo forca, por edhe te detajet e vogla anatomike – si këto mustaqe – që u japin një ndjeshmëri të fshehtë dhe i bëjnë kaq të veçantë.