Të tjera detaje kanë dalé në dritë në lidhje me plagosjen me armë zjarri të një 18-vjeçareje në ambientet e një hoteli në zonën e Saukut. Rreth mesnatës në Spitalin e Traumës është paraqitur shtetasja Natalia K., me një plagë në zonën e shpatullës, ku plumbi kishte mbetur brenda trupit. E reja është transportuar me taksi drejt spitalit dhe më pas personat që e shoqëronin janë larguar.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, 18-vjeçarja ka deklaruar fillimisht se ishte vetëplagosur. Nga verifikimet e kryera rezulton se ajo kishte qenë në të njëjtën dhomë hoteli me shtetasin Erisjan Gjuta, në ambientet e hotel “Gjuta” në Sauk. Megjithatë, sipas deklarimeve të saj të mëvonshme, në momentin kur është qëlluar me armë ka qenë vetëm në dhomë dhe jo me të dashurin e saj.
Burimet bëjnë me dije se në spital, e reja ka pranuar se kishte bërë “disa gabime në jetë” dhe se për këtë arsye kishte ndërmarrë veprimin ekstrem, duke shtuar se edhe më parë kishte tentuar vetëvrasjen. Fillimisht, ajo nuk e ka deklaruar saktë mbiemrin e saj para mjekëve.
Policia ka dyshime mbi rrethanat e ngjarjes dhe po heton nëse bëhet fjalë për vetëplagosje apo për një plagosje të mundshme nga persona të tjerë. Hetimet janë vështirësuar edhe nga fakti se në hotel nuk ka pasur kamera sigurie.
Po ashtu, mësohet se i riu që ndodhej në dhomë me 18-vjeçaren është nipi i Vladimir Gjuta, një emër i njohur për policinë. Ky i fundit është akuzuar më herët si autor i vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Gjuta u arrestua më 10 shkurt 2020 pranë selisë së PS-së, ku iu gjet një pistoletë dhe një shumë prej 180 mijë eurosh në çantë.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e plagosjes.