Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Angli. Lorik Abazi, 22 vjeç, ka humbur jetën pas një sherri me thikë, ndërsa për rastin janë arrestuar disa persona të dyshuar. Viktima mësohet se është nipi i këngëtares së njohur shqiptare Ganimete Abazi, e njohur për publikun si Ganja. Lajmin e dhimbshëm e ka bërë të ditur vetë artistja përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale, ku shpreh dhimbjen për humbjen e të riut.
“Ahhh bre sa e vështirë me ta thënë lamtumirë, Loriku ynë. Jeta shpeshherë është e padrejtë dhe godet aty ku dhemb më së shumti. Pusho në paqe, nipi jem, shpirti jem. Ne do të jetojmë me dhimbjen për ty, me kujtimet dhe dashurinë që na dhe”, ka shkruar ajo.
Sipas mediave britanike, mes tyre edhe BBC, policia ka arrestuar dy vajza 25-vjeçare dhe një djalë 28-vjeç si të dyshuar për përfshirje në ngjarje. Njëra prej vajzave është liruar më vonë me kusht, ndërsa hetimet vijojnë.
Po ashtu, raportohet se disa të rinj të tjerë, rreth 21 vjeç, janë gjetur me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse dhe janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në përleshje.
Autoritetet britanike po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, ndërsa komuniteti shqiptar në Angli dhe familjarët e viktimës janë në zi për humbjen tragjike të 22-vjeçarit.

