Detaje të reja kanë dalë në dritë për vr asjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, ngjarje e ndodhur në Itali më 14 shkurt. I riu u qëllua për vdekje nga bashkëkombasi i tij, 20-vjeçari Renato Xyke, pas një përplasjeje që, sipas hetimeve paraprake të mediave italiane, dyshohet të ketë nisur për një dëmtim të lehtë automjeti në një rrugë me trafik.
Sipas rindërtimit fillestar, debati mes të rinjve ka dalë jashtë kontrollit dhe, brenda pak orësh – në më pak se pesë – është përshkallëzuar në mënyrë tragjike, disa kilometra larg vendit të konfliktit të parë. Ajo që nisi si një grindje për makinën, përfundoi me humbjen e jetës së 25-vjeçarit.
Prokuroria po mbledh dëshmi për të sqaruar motivin dhe rrethanat e sakta të ngjarjes. Nën verifikim janë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat pritet të hedhin dritë mbi lëvizjet e dy automjeteve të përfshira: një Fiat Doblò i bardhë dhe një Range Rover Evoque gri i errët, me të cilin udhëtonte i dyshuari.
Ende mbeten pikëpyetje thelbësore: Çfarë ndodhi realisht mes dy grupeve të të rinjve? A ishte përplasja e parë shkaku i vetëm i tragjedisë? A pati ndjekje mes automjeteve, apo ishte një takim i rënë dakord për të “sqaruar” konfliktin?
Sipas hetimeve, Kevin Muharremi ndodhej në sediljen e përparme, në anën e pasagjerit, në automjetin ku udhëtonte me dy miq, kur një makinë tjetër iu afrua dhe nga aty u hap zjarr. Një plumb e goditi në qafë, plagë që rezultoi fatale.
Renato Xyke është arrestuar si autor i dyshuar i krimit. Sipas raportimeve, ai u ndalua në segmentin e autostradës A1 në zonën e Arezzos, ndërsa udhëtonte me një Range Rover gri, i shoqëruar nga prindërit dhe motra e tij, teksa dyshohet se po largohej në drejtim të Romës. Burime mediatike bëjnë me dije se familjarët mund ta kenë ndihmuar në tentativën për t’u larguar.
20-vjeçari është emër i njohur për forcat e rendit për precedentë penalë, përfshirë krime kundër personit dhe trafik droge. Ai banon në Santa Maria a Monte, komuna ku ndodhi krimi, ndërsa arma e dyshuar e përdorur në vrasje është gjetur në banesën e tij.