Një fermer 86-vjeçar nga Pensilvania ka refuzuar një ofertë prej mbi 15 milionë dollarësh për të shitur 261 hektarë tokë zhvilluesve të një qendre të dhënash, duke zgjedhur të mbrojë fermën që ka ndërtuar për më shumë se 60 vite.
Mervin Raudabaugh, nga Cumberland County, tha për mediat lokale se zhvilluesit i kishin ofruar rreth 60 mijë dollarë për hektar, por ai nuk ishte i interesuar.
“Nuk isha i interesuar të shkatërroja fermat e mia. Ky ishte thelbi. Nuk ishte çështje parash, thjesht nuk doja t’i shihja këto dy ferma të zhdukura,” u shpreh ai.
Ai ka kaluar rreth gjashtë dekada duke punuar tokën në Silver Spring Township. Ferma mban për të një vlerë të veçantë emocionale: aty ndërroi jetë nëna e tij në vitet ’50, ndërsa ai ishte ende nxënës në shkollë të mesme dhe u detyrua të merrte përgjegjësitë e familjes. Më vonë, në të njëjtën shtëpi, ai dhe bashkëshortja e tij e ndjerë, Anna Mae, rritën fëmijët e tyre.
Përtej lidhjes personale, 86-vjeçari thotë se shqetësohet për të ardhmen e bujqësisë në SHBA. Sipas tij, ndërtimet e reja po zëvendësojnë tokat pjellore, duke rrezikuar fermat tradicionale familjare.
Në vend që ta shiste tokën për zhvillim industrial, ai vendosi t’i shesë të drejtat e zhvillimit Programit të Ruajtjes së Tokës në Silver Spring Township për rreth 1.9 milionë dollarë, duke siguruar që prona të mbetet e paprekur nga ndërtimet masive.
“E dua këtë tokë. Ka qenë jeta ime. Dhe kuptova se nëse nuk ndërtohet mbi të, familje të tjera mund të jetojnë këtu në të ardhmen. Këtë doja të bëja,” tha ai.
Sot, vendimi i tij është bërë temë diskutimi në komunitet, ku shumë banorë e kanë përshëndetur zgjedhjen për të mbrojtur tokën dhe natyrën.