Raportet e para nga territori iranian bëjnë me dije për një numër të lartë viktimash civile pas sulmeve ajrore të ndërmarra nga forcat amerikane dhe izraelite. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, një raketë ka goditur drejtpërdrejt një shkollë fillore për vajza në qytetin Minab, që ndodhet në provincën Hormozgan në jug të vendit.
Autoritetet vendase konfirmojnë se nga ky sulm kanë humbur jetën të paktën 42 persona, mes të cilëve raportohet për 40 nxënëse. Në momentin e goditjes, në shkollën “Shajereh Taybeh” po ndiqnin mësimin në turnin e mëngjesit rreth 170 vajza. Përveç viktimave, raportohet se 48 nxënëse të tjera kanë mbetur të lënduara dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor në spitalet rajonale.
Ekipet e shpëtimit ndodhen në terren dhe po punojnë mes rrënojave për gjetjen e personave të mundshëm që mund të kenë mbijetuar. Ndërkohë, mediat iraniane po pasqyrojnë pasojat e rënda të asaj që e konsiderojnë një sulm të drejtpërdrejtë mbi objektivat civile.
Ky zhvillim tragjik vjen në një kohë tensionesh ekstreme, ku Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur një operacion të gjerë ajror ndaj Iranit. Nga ana tjetër, figura të opozitës iraniane në mërgim, si Reza Pahlavi, kanë bërë thirrje për rrëzimin e Republikës Islamike, duke u kërkuar qytetarëve të mos mbrojnë regjimin e Khameneit, por të ardhmen e Iranit.